Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Mikhail Afanasiev mban fjalim në ceremoninë e dorëzimit të medaljeve përkujtimore

Fjala e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, Mikhail Afanasiev në ceremoninë e dorëzimit të medaljeve përkujtimore me rastin e 75-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike
Tiranë, 24 qershor 2020

Të nderuar veteranë,
Të dashur miq!

Është një nder i madh për mua t’Ju dorëzoj Juve, veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, medalje jubilare në kujtim të 75-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike të viteve 1941-1945. Për shkak të pandemisë së tërbuar të koronavirusit, ne jemi të detyruar të zhvillojmë këtë ceremoni jo më 9 maj, siç është traditë, por më 24 qershor, në ditën, kur saktësisht 75 vjet më parë, në Moskë, në Sheshin e Kuq, u zhvillua Parada historike e Fitores, e cila shënoi shpartallimin nga Ushtria e Kuqe të hordhive naziste. Ndaj, na gëzon fakti që, përkundër të gjitha pengesave, ne arritëm të mblidhemi këtu, bashkë me Ju, për të festuar, edhe pse me vonesë, përvjetorin e Fitores së Madhe. Fatkeqësisht, jo të gjithë të ftuarit mundën të marrin pjesë në ngjarjen e sotme, por nuk kam dyshim se medaljet, që nuk do të dorëzohen sot, shumë shpejt do t’u jepen të gjithë të dekoruarve.

Të dashur veteranë, vetëflijimi dhe heroizmi juaj janë skalitur përgjithmonë me shkronja të arta në historinë e Shqipërisë. Ju shfaqët një qëndresë të palëkundur. Pa kursyer jetën tuaj, i bëtë ballë dhe fituat përleshjet e ashpra e të pabarabarta me nazistët duke u kthyer në garancinë e një të ardhmeje paqësore për Atdheun tuaj.

Nuk është zmadhim të thuhet se lëvizjet partizane të Shqipërisë dhe popujve të BRSS-së kanë shumë të përbashkëta. Ato i bashkon trimëria, heroizmi dhe vetëmohimi i luftëtarëve, të cilët u shndërruan në “frontin e padukshëm” të luftës kundër pushtuesve nazifashistë, duke i dhënë një ndihmesë të madhe forcave të Ushtrisë së Kuqe dhe vendeve Aleate në thyerjen e forcës ushtarake të armikut. Pjesëmarrësit e grupeve partizane si në malet shqiptare, ashtu edhe në pyjet e Brjanskut i kishin dhënë ndihmesën e paçmuar Fitores së përbashkët, të fituar me çmimin e milionave jetave. Kjo faqe e historisë, pa asnjë dyshim, u bë një nga momentet bashkuese e të kaluarës heroike të Rusisë dhe Shqipërisë dhe ne e vlerësojmë lartë. Më që ra fjala, para disa orësh u njoha me artikullin e një prej veteranëve të pranishëm këtu, z. Naxhi Zhupe, të botuar në gazetën “Telegraf” me titullin “Operacioni Barbarossa: Invazioni Gjerman mbi BRSS për të sunduar Evropën”. U kënaqa shumë nga leximi i tij. Ju jemi shumë mirënjohës për vlerësime të paanshme historike të kushteve paraprake dhe të shkaqeve të Luftës së Dytë Botërore si edhe për vlerësimin e lartë të heroizmit të popullit sovjetik gjatë viteve të luftës.
Dëshiroj t’Ju falenderoj nga zemra për heroizmin e pashembullt në emër të çlirimit të njerëzimit nga murtaja naziste. Ne Ju kujtojmë dhe nuk harrojmë asnjë minutë luftën tuaj. Nëse nuk do të ishit Ju, ka të ngjarë që ne, thjesht, të mos ekzistonim sot. Me rastin e 75-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike, më lejoni t’u dorëzoj medalje figurave të mëposhtme të shquara të Lëvizjes partizane Nacionalçlirimtare të Shqipërisë.

Me këto medalje do te dekorohen edhe veteranët-bashkatdhetarët tuaj, të cilët nuk mund të merrnin pjesë në takimin e sotëm për arsye të ndryshme.

Ne të gjithë Ju detyrohemi shumë për sakrificën tuaj. Përulemi me nderim. Më lejoni t’Ju uroj nga zemra shëndet, gjallëri dhe jetë të gjatë! Lavdi e përjetshme heronjve, të rënë në luftë kundër nazizmit dhe fashizmit! Rrofshin veteranët e qëndresës antifashiste! Urra!

/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne