Ambasadorja Ozan: Kompanitë turke janë të interesuara për investime në Malin e Zi

Mali i Zi dhe Turqia kultivojnë marrëdhënie të forta miqësore, të cilat do të avancohen edhe më shumë me forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Kështu u tha në takimin që Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq pati me Ambasadoren e Turqisë Songul Ozan. Kreu i ekzekutivit Markoviq ka theksuar se Mali i Zi krahas prioriteteve strategjike punon shumë edhe në zhvillimin e ekonomisë duke shtuar që me rëndësi është vazhdimi i rritjes ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës dhe tërheqja e investitorëve të huaj. Ai e ka vlerësuar si shumë pozitive rritjen e interesimit të kompanive turke për investime në Mal të Zi, ndërkaq ambasadorja Ozan ka thënë se Mali i Zi gjithnjë e më shumë po bëhet i njohur në Turqi si për nga potencialet turistike, ashtu edhe ato ekonomike. Ambasadorja Ozan ka shtuar se kompanitë turke janë të interesuara për investime në aeroporte, bujqësi, shëndetësi dhe industrinë e tekstilit. Bashkëbiseduesit kanë rënë dakord se Mali i Zi ka një rol konstruktiv në rajon dhe vepron në drejtim të arritjes se kompromiseve përmes dialogut. Ambasadorja Ozan po ashtu ka lavdëruar Malin e Zi për ruajtjen dhe kultivimin e harmonisë shumëetnike dhe shumëkonfesionale. Bashkëpunimi midis dy vendeve do të forcohet edhe me shumë përmes partneritetit në NATO, ku si aleatë këto dy vende do të kontribuojnë në ruajtjen e rrjedhave demokratike,- u tha në takimin e parë zyrtar të Kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq me Ambasadoren e Turqisë, Songul Ozan./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne