Amfilohije flet si musliman: nëse ministri i Arsimit ka frikë Allahun, do fusë mësim-besimin në shkolla

Mitropoliti Amfilohije, i dyti për nga grada në mesin peshkopëve në kishën Ortodokse serbe, në një intervistë për Anadolu Agency me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse tha se pret nga ministri musliman në qeverinë e Malit të Zi të vendos mësim-besimin nëpër shkollat e atij vendi.

Amfilohije në deklaratën thotë se kthimi në të lashtën është shumë e rëndësishme sepse me të, i kthehemi të vërtetës mbi njeriun, mbi krijimin e botës nga Zoti.

“Ky është themeli i kësaj. Promovimi i kësaj përvoje shekullore e cila nuk është përrallë, nuk është tregim, por një realitet mijëra vjeçar mbi të cilin bazohet gjithçka e ndershme që u është dhënë popujve, në veçanti atyre evropianë, aziatikë dhe amerikanë, është një domosdoshmëri”, thotë Amfilohije, i cili rrëfen se që në vitet 90-të, kishin tentuar të vendosin në Mal të Zi mësim-besimin, por fatkeqësisht thotë ai, pushteti i atëhershëm malazez ishte bartës i jobesimit dhe një gjë e atillë nuk u arrit.

“Vetëm Shqipëria e Enver Hoxhës ishte para Malit të Zi. Tash, ajo ideologji akoma në një farë mënyre sundon me arsimin në Mal të Zi . Meqë njihem si një njeri që flas hapur, thashë se nëse ministri i Arsimit në Mal të Zi që është musliman, Damir Shehoviç, ka frikë Allahun dhe Ditën e Gjykimit, në Mal të Zi do të vendosim mësim-besimin. Tani, unë nuk e di nëse ai ka frikë Allahun dhe Ditën e Gjykimit, pasi pa këtë, nuk do të ketë arsim të mirëfilltë as përparim”, është qëndrimi i mitropolitit Amfilohije.

Ai ka folur edhe për largimin e të rinjve nga viset e ish-Jugosllavisë për çka fajëson të gjithë njerëzit e këtushëm, sepse siç thotë, për luftrat të cilat ndodhën, askush nuk mund të thotë se është i pafajshëm.

“Natyrisht, ne tani arsyetohemi se ishte një kohë e Titoizmit, totalitarizmit, dhe se ishte një reaksion. Nga ana tjetër, nuk ishte një reaksion sepse në pjesë të madhe ishte ngjallja te ne e fatkeqësive tona historike, urrejtjeve që kishim. Këto janë plagë të thella të cilat nuk mund të shërohen lehtë, dhe nga këto, humbësit më të mëdhenj janë brezat e rinj. Kjo nga fakti se pavarësisht se çfarë sistemi ishte ai, me gjitha mangësitë që kishte, shume gjëra janë bërë atëherë në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë”, thotë mitropoliti Amfilohije, sipas të cilit, luftërat fatkeqe shkatërruan shumë nga të mirat që ishin ndërtuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne