Analiza/ Marrëveshja që dogji LSI-në

Marrëveshja Rama – Basha i dha de facto fund edhe koalicionit 4 –vjeçar mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Pa u rakorduar me aleatin e tij, Edi Rama shkarkoi nga detyra kryetarin e LSI –së, Petrit Vasilin që mbante postin e Ministrit të Drejtësisë dhe 3 drejtorë të LSI (Hipoteka, Burgjet, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor e Rural).

Petrit Vasili tentoi të tregohet i përmbajtur në daljen e tij të parë televizive pas publikimit të paktit Rama – Basha. Por nuk ia doli. Ai foli për pabesi në dëm të partisë që i është lënë të drejtojë.

“Është veprim i pabesë kjo marrëveshje e arritur mes PS dhe PD. Ti i ke mbajtur si qen tre muaj në çadër dhe i thua tani hajde” , deklaroi ai në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit.

Kur mediat nisën të publikonin detajet e para, Ilir Meta nxitoi për në zyrën e Sali Berishës.

Në të dalë prej saj ai tregoi se nuk ishte njoftuar për detajet. Inati i lexohej në sy. Për të shmangur sikletin iu khtye një batute të lodhur për Berishën: “ju e dini se ai është dobësia ime”.

Disa orë më vonë, Petrit Vasili që e shoqëroi në takimin me Berishën, reagoi edhe me anë të një statusi në Facebook, plot ironi për opozitën.

“Shpresoj qe ne keto 7 dite te cmuara te shtyrjes se zgjedhjeve, opozita do te realizoje objektivat e saj per standarde te larta ne zgjedhje, luften kunder droges dhe dekriminalizimin”, shkruan Vasili.

Më tej, te Ylli Rakipi ai e goditi edhe ligjërisht marrëveshjen. Tha se ishte antikushtetuese.

“Është një privim anti-kushtuetues privimi që i ndalon partitë për të mos garuar në koalicion. Kjo marrëveshje ka shumë detaje që duhet të ketë sqarime të mëtejshme, pra duhet shpjeguar pasi ka shumë momente”, ishte deklarata e Vasilit.

Edhe pse u përpoq të shfaqej në publik si forcë konstruktive, pro zgjidhjes së krizës, LSI nuk e fshehu dot mërzinë se ajo as që u konsiderua në këtë marrëveshje të re Rama – Basha.

Kryeministri e shkarkoi Petrit Vasilin nga posti i Ministrit të Drejtësisë pa e pyetur atë në cilësinë e kryetarit të LSI. Nuk vuri në dijeni as Metën, që tani e ka lënë të merret me përgatitjet për postin honorifik të presidentit.

Futja e PD –së në qeveri e bën të panevojshme LSI –në. Ramës, për të miratuar reformat, nuk i duhen më votat e aleatit që e bëri kryeministër. Ai ka hedhur firmën në krah të Bashës që, pas zgjedhjeve, së bashku të miratojnë ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.

LSI nuk figuron gjëkundi në këtë pakt. Ajo po konsumon për inerci ditët e fundit të bashkëqeverisjes që i mbeten nga një pakt i vjetër, i shkruar 4 vjet më parë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne