Ankaraja pretendon se i ka dërguar Uashingtonit prova të reja që gozhdojnë Fetullah Gulenin

Ministria turke e Drejtësisë i ka dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës prova të reja, të cilat vërtetojnë se Hakan Çiçek, një nga drejtuesit civilë të organizatës terroriste gyleniste (FETO), ka pasur komunikim direkt me kreun e organizatës, Fetullah Gulen, një ditë para dhe ditën e tentativës për grusht shteti në Turqi.

Bëhet e ditur se në telefonat e gjetur në hapësirat përreth Bazës Ushtarake “Akinci” dhe që u përkasin drejtuesve civilë të FETO-s, Kemal Batmaz dhe Hakan Çiçek, janë zbuluar prova të reja se urdhrat dhe udhëzimet për tentativën e grushtit të shtetit janë dhënë nga kreu i organizatës, Fetullah Gulen.

Në bazë të provave të reja të siguruara në kuadër të hetimeve të kryera nga Prokuroria e Ankarasë, mësohet se Çiçek, një prej planifikuesve të puçit, ka komunikuar direkt me programe të ndryshme nga celulari me kreun e organizatës terroriste, Gulen, nëpërmjet një anëtari të organizatës me kodin “Farmacist Abdiu” (Eczaci Abdi).

Përmes hetimeve të kryera, theksohet se është zbuluar edhe identiteti i vërtetë i anëtarit të organizatës me emrin e koduar “Farmacist Abdiu”.

Më datë 23 qershor 2016, në kuadër të përgatitjeve për grushtin e shtetit, Çiçek ka qenë në SHBA, ku pasi i ka dërguar “Farmacist Abdiut” mesazhin “A është i mundur një takim me H. në drekë?”, të njëjtën ditë ai është takuar me Fetullah Gulenin.

Gjithashtu, sipas përmbajtjes së bisedave mes Çiçek dhe anëtarit të koduar “Farmacist Abdiu”, theksohet se kryeterroristi Gulen është informuar vazhdimisht që nga ora 20.00 e datës 15 korrik 2016, madje ka dhënë edhe udhëzimet e tij në lidhje me tentativën për grusht shteti.

Është zbuluar edhe se Çiçek ka kontaktuar po ashtu më një person tjetër që jeton bashkë me Gulenin në Pensilvani, emrin e të cilit e kishte regjistruar në telefon “Avokati Hkn Ada” (Hkn Ada Avukat).

Bëhet e ditur se bisedimet janë kryer nëpërmjet aplikacioneve me bazë internetin, me qëllim që të mos diktohen nga ndjekjet teknike.

Ndërkaq, theksohet se është zbuluar që edhe Kemal Batmaz, ka qenë në SHBA gjatë datave 11-13 korrik 2016, pas një ftese të bërë nga Abdulhadi Yildirim, kunat i Adil Oksuz, një prej drejtuesve civilë të organizatës terroriste dhe përgjegjës për Forcat Ajrore. Kështu, vihet në dukje se ftesa është dërguar për të fshehur qëllimin e vërtetë të vizitës së Batmazit, për të cilin njoftohet se janë marrë informacione teknike edhe nga adresat e postës elektronike të përdorura prej tij.

Ministria turke e Drejtësisë i ka dërguar prova të reja Departamentit amerikan të Drejtësisë, të cilat zbulojnë se kreu i FETO-s, Gulen, ka urdhëruar dhe drejtuar tentativën për grusht shteti.

Po ashtu Ministria ka ndarë me dikasterin homolog amerikan bisedat që Çiçek ka zhvilluar me Gulenin dhe provat e reja, të cilat zbuluan krejtësisht lidhjet e Batmazit.

Në një shkresë që Drejtoria e Përgjithshme e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Marrëdhënieve me Jashtë i ka dërguar Departamentit amerikan të Drejtësisë, është ripërsëritur kërkesa e Turqisë për ekstradimin e kryeterroristit Fetullah Gulen.

“Konstatimet e autoriteteve gjyqësore turke vërtetojnë pa asnjë dyshim rolin e Gulenit në përpjekjen e grushtit të armatosur të 15 korrikut. Për këtë arsye, ne presim që kërkesa jonë, e cila plotëson të gjitha kushtet e deklaruara në ‘Marrëveshjen e Ndërsjellë për Ndihmë Ligjore në Çështjet Penale dhe Ekstradimin e Kriminelëve’ mes dy vendeve, të transferohet sa më shpejt të jetë e mundur tek autoriteti ligjor i vendit tuaj dhe të nisë procesi ligjor për ekstradim”, thuhet në shkresën e Ministrisë turke të Drejtësisë në adresë të Departamentit amerikan të Drejtësisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne