Ankaraja reagon ashpër ndaj Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Ankaraja dënoi fuqishëm miratimin e projektligjit për sanksione ndaj Turqisë nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke treguar si arsye operacionin “Burimi i Paqes” që zhvillohet kundër organizatës separatiste terroriste YPG/PKK/SDF dhe DAESH-it në veri të Sirisë.

Në deklaratën e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme në lidhje me këtë çështje shkruhet: ”Ne dënojmë fuqishëm miratimin e projektligjit nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve që parashikon sanksione kundër vendit tonë për shkak të operacionit ‘Burimi i Paqes’”.

Gjithashtu bëhet e ditur se projektligji, i cili ka në shënjestër zyrtarët e lartë dhe Forcat e Armatosura të Turqisë, nuk përputhet edhe me frymën e Aleancës nën çatinë e NATO-s, dhe bie ndesh me marrëveshjen e arritur për Sirinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 17 tetor.

Në deklaratë nënvizohet se Amerika nuk do të arrijë në asnjë vend me kërcënimet e njëanshme dhe shtohet: “Zyrtarët amerikanë, të cilët në ditët e fundit madje kanë neglizhuar edhe ndryshimin midis një vendi aleat dhe një organizate terroriste (YPG/PKK/SDF) dhe kanë legjitimuar me shpërfillje një terrorist me deklaratat dhe veprimet e tyre, duhet të kuptojnë se nuk mund të arrijnë asgjë me kërcënimet e sanksioneve të njëanshme. Ne i bëjmë thirrje Kongresit amerikan që ti japë fund shfrytëzimit të çështjeve që nuk kanë lidhje me thelbin e marrëdhënieve tona si material për politikën e brendshme, të veprojë në përputhje me frymën e aleancës dhe partneritetit dhe i bëjmë thirrje udhëheqjes amerikane që të marrë hapat e nevojshme për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne