Anti-shpifja/ Gazetarët për VOA: Rama po miraton një ligj në kundërshti me Venecian dhe PE-në

Në Tiranë, komuniteti i gazetarëve vazhdon të protestojë ndaj planeve të parlamentit për të rimarrë në shqyrtim paketën anti-shpifje.

Shtatë organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shprehjes i dërguan drejtuesve dhe deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë një letër të hapur, që të ndërpresin procedurat për paketën anti-shpifje dhe të respektojnë Opinionin e Komisionit të Venecias.

Organizatat ndëkormbëtare që mbrojnë lirinë e medias kërkuan në letrën e hapur që parlamenti të mos vijojë planet për ndryshime ligjore në paketën antishpifje, sepse kjo procedurë e paralajmëruar nga shumica socialiste, do të sillte mos-respektimin e disa vërejtjeve të rëndësishme të Komisionit të Venecias.

Analisti i njohur i agjencisë BIRN, Gjergj Erebara, thotë se “tashmë prej dy vjetësh kryeministri Edi Rama dëshiron të miratojë një ligj, që bie ndesh me standartet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut. Ai po injoron Komisionin e venecias, i cili ka thënë qartë se Shqipëria nuk mund të bëjë një ligj të tillë.

Organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias i shkruan parlamentit se kanë një shqetësim të madh për planet e parlamentit për të injoruar cështjet që ngrihen në Opnionin e Komisionit të Venecias më 19 qershor mbi goditjen e lirisë së shtypit dhe të drejtën e lirisë së shprehjes dhe informimit në Shqipëri.

Analisti i njohur i medias në agjencinë Politiko.al, Alfred Lela, thotë se si herët e tjera, dhe këtë herë ka një heshtje, një mungesë transparence dhe një mungesë gadishmërie për t’u ulur me grupet e gazetarëve, interesi i vetëm i të cilave është që të respektohet liria e fjalës, të respektohen mediat dhe qeveria të mos ndërhyjë arbitrarisht në punën e medias, duke përdorur instrumenta të pushtetit.

Organizatat ndërkombëtare dhe shqiptare të shtypit theksuan në letrat për parlamentin se amendamentet ligjore në gjendjen e tanishme bien ndesh me ligjet dhe standartet ndërkombëtare dhe sic shënoi edhe Komisioni i Venecias, propozimet ligjore janë plot me gabime themelore.

Zoti Erebara tha se organizatat e shoqërisë civile, vendase dhe ndërkombëtare, i bërë edhe një herë të qartë qeverisë se po e ndjekin këtë zhvillim dhe hile të tilla nuk funksionojnë, sepse Opinioni i Komisionit të Venecias ishte hapur kundër kësaj nisme të qeverisë.

Organizatat ndërkombëtare dhe shqiptare të shtypit pohuan se do të ishte shumë më e përshtatshme që problemet të zgjidhen nga një trupë e pavarur vetë-rregulluese, ku të përfshihen gjithë aktorët e komunitetit mediatik.

Analisti Lela tha se shumica socialiste po përdor edhe rrëmujën politike për reformën zgjedhore si një mjegull për të paraqitur shpejt një paketë gjoja e rinovuar me vërejtjet e Venecias, por që do të jetë e njëjta, të miratohet me shpejtësi dhe të bëhet fakt I kryer dhe të jetë tepër vonë edhe për të bërë vërejtje dhe të kalohet në parament, si kanë kaluar shumë ligje së fundmi, ku opozita brenda parlamentit është në krah të shumicës socialiste, ndërkohë që institucionet themelore nuk janë funksionale.

Organizatat vendase dhe ndërkombëtare I kërkuan parlamentit njëzëri që ta rivlerësojë procedurën aktuale legjislative dhe të nisë një process transparent për të krijuar rregullat e duhura sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, duke përfshirë gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të medias në këtë proces, në mënyrë që gjithçka e kësaj fushe në Shqipëri të jetë në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për integrimin europian dhe të mos dëmtojë shpresat për një përparim sa i takon lirisë së shtypit./voa

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne