Apeli lë në fuqi sekuestron për pasurinë e Ylli Ndroqit

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për sekuestron e pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi.

Një ditë më parë Apeli e shtyu për sot marrjen e vendimit, ndërkohë që avokati i tij, Alban Qafa, tha se ka prova voluminoze që vërtetojnë se pasuria e Ndroqit është 100% e ligjshme.

Për avokatin, Ylli Ndroqi nuk është arrestuar asnjëherë në Itali, pasi vendimi i Gjykatës së Milanos i 2006-ës është shfuqizuar në vitin 2010.

I demonstruam të gjitha provat para trupit gjykues. Është 100% pasuri e ligjshme dhe nuk ka asnjë burim parash të dyshimta, me prova jo e jo që nuk ka, por as indicia që njeh Ligji i Antimafias.

Pjesa më e madhe e tyre janë të krijuara me financim nga bankat, aktiviteti tregtar, duke nisur nga ‘Ora News’, i cili është 100% i blerë me bankë.

Kemi depozituar si kontratën e kreditimit nga banka, si dhe suiftin, paratë siç kanë kaluar nga Raiffaisen, kanë kaluar në llogarinë e shitëses së televizionit”, sqaroi avokati.

Është pasuri 100% e ligjshme dhe nuk ka asnjë burim parash të dyshimta. Pasuritë e krijuara nga zoti Ndroqi janë aktivitet i ligjshëm tregtar, i regjistruar në tatime që në vitin 1993, i kredituar në banka që nga viti 1996.

“Të gjitha aktivitetet tregtare dhe bizneset e tij janë kontrolluar nga tatimet ndër vite, dhe nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka rezultuar pa probleme. Ia demonstruam gjykatës të gjitha”, u shpreh ai.

SPAK-u ka sekuestruar më 3 gusht 26 pasuri të paluajtshme të Ylli Ndroqit, pronar i një televizioni privat në Tiranë. Në lidhje me këtë lajm, u prononcuan para Policisë së Tiranës avokatët e Ndroqit.

Ata thanë se vendimi për sekuestrimin e pasurisë së Ndroqit është vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të SPAK-ut, ndërsa do të apelojnë këtë vendim në shkallë më lart të gjyqësorit. Për avokatët, sulmi ndaj Ylli Ndroqit është politik, pasi biznesmeni ishte në gjyq me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

“Ylli Ndroqi nuk është i shoqëruar. Na është dhënë vendimi në dorë për sekuestro. Ky është vendim i Shkallës së Parë të SPAK-ut, do ta apelojmë. Makina e tij ndodhet në ambientet e Policisë së Tiranës”, deklaruan avokatët./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne