Arabia Saudite po paguan çmimin për zgjedhjen e saj nga ana e Trumpit…

Ku do të përdoren këto armë? Nga do të vijnë paratë për pagesën e vlerës së tyre? Këto janë pyetje tabu.

Abdul-Bari Atuan

Kur agjencia e lajmeve botërore “Reuters” citon një zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në prag të përfundimit të një serie marrëveshjesh për armët me Arabinë Saudite me vlerë më shumë se 100 miliard dollarë, vlerë e cila mund të arrijë në 300 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme, për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes ndërkohë që do të ruajë superioritetin ushtarak të Izraelit”, ne duhet ta besojmë atë dhe të presim për shpalljen zyrtare gjatë vizitës së presidentit Donald Trump në Riad të shtunën e ardhshme.

Në shkencën e gazetarisë, rrjedhje të tilla nuk vijnë aksidentalisht dhe nuk kanë lidhje me aftësinë e gazetarit që i sjell. Informuesi mediatik (gazetari) është vetëm përftuesi i lajmit në këtë rast dhe se ekziston një palë tjetër që e zgjodhi atë për të dhënë lajmin apo informacionin në kohën e duhur për të arritur qëllimin që ajo palë dëshiron.

Zgjedhja nga ana e presidentit Trump të kryeqytetit saudit Riad si ndalesa e parë e tij në turin e tij të jashtëm pas ardhjes së tij në pushtet nuk ishte për shkak të statusit të tij fetar apo politik, apo të udhëheqjes së botës myslimane, por për shkak se Riadi mund të paguajë çmimin apo taksat e nevojshme – as më shumë dhe as më pak – dhe ja ku ne e marrim vesh nëpërmjet asaj që ka publikuar kjo agjenci ndërkombëtare.

***

Nuk e diskutojmë se Arabia Saudite ka nevojë për armë, por jo të këtij lloji, e as me këtë çmim. Për shembull – dhe pa u kufizuar – marrëveshja nuk përfshin avionë amerikanë të avancuar e modernë të tipit F-35, por kontrata mirëmbajtjesh, platforma anijesh dhe ombrellë mbrojtëse raketash, të tilla si Patriot. Për këtë arsye, zyrtari i lartë i cili rrodhi këtë lajm pohoi se kjo marrëveshje nuk do të cenojë aspak superioritetin ushtarak izraelit.

Nuk e kuptojmë pse theksohet emri i Izraelit në këtë marrëveshje dhe përkujdesjen e theksimit se Amerika është e prirur për të vazhduar superioritetin e tij ushtarak. Aftësitë ushtarake saudite, të paktën tani për tani, nuk janë në nivelin e duhur për të filluar një luftë në Palestinë dhe për t’i dhënë fund pushtimit izraelit të vendeve të shenjta, por për luftëra “të supozuara” kundër Iranit; themi “të supozuara” sepse administrata e presidentit Trump po e përdor kërcënimin iranian si një “gogol” për mjeljen e parave saudite.

Princi Muhamed bin Selman, zëvendësi i princit të kurorës saudite, ministri i mbrojtjes dhe “mbreti i kurorëzuar”, nuk e ka shqiptuar kurrë emrin e Izraelit apo të Palestinës që nga marrja e detyrës në asnjë nga deklaratat dhe intervistat e tij televizive; ne e sfidojmë këdo që vjen të na thotë të kundërtën!!!

Presidenti Trump u bëri thirrje Arabisë Saudite dhe shteteve arabe të Gjirit (Persik) për të paguar çmimin e mbrojtjes amerikane ndaj tyre. Ai, si një biznesmen e një tregtar, mendon që një mbrojtje e tillë nuk mund të jetë falas. Prandaj, u ra dakord, siç është rasti në të gjitha transaksionet e biznesit, për mënyrën e pagesës. Dhe mënyra e pagesës këtu realizohet nëpërmjet disa marrëveshjeve, disa prej tyre ushtarake – siç është rasti në këtë marrëveshje armësh – dhe disa të tjera investimesh, kur princi Bin Selman premtoi gjatë vizitës së tij në Uashington dy muaj më parë për të derdhur 200 miliardë dollarë investime për projektet e infrastrukturës amerikane gjatë katër viteve, pikërisht gjatë periudhës së parë të administratës së presidentit Trump dhe ndoshta të vetmes.

Pyetja është: nga do të vijnë paratë që do t’i mundësojnë udhëheqjes saudite përmbushjen e këtyre premtimeve dhe shlyerjen e vlerës së marrëveshjes ushtarake?! Shitja e 5 % të aksioneve të ARAMCO-s nuk mbulon as 1/4 e këtyre zotimeve. Veç kësaj, edhe deficiti buxhetor i Arabisë Saudite në vitin aktual është vlerësuar në rreth 84 miliard dollarë, përveç rreth 13 miliardë dollarëve që është vlera e tërheqjes nga vendimi për të ndalur bonuset dhe ndihmat për punonjësit e shtetit.

***

Çfarë në lidhje me projektet e infrastrukturës së Arabisë Saudite? Po në lidhje me mirëqenien e qytetarit saudit? Apo në lidhje me mbështetjen për mallrat dhe shërbimet themelore?

Këto janë pyetje të vështira dhe shtrimi i tyre konsiderohet tabu, veçanërisht nga ekonomistët dhe ekspertët sauditë. Por përgjigjja është e mundshme dhe shumë e thjeshtë. Vlen të thuhet se, në dritën e erozionit të rezervave financiare si rezultat i shpenzimeve të tepruara ushtarake, dy luftërave në Siri e Jemen dhe radhës së gjatë të sundimtarëve që lakmojnë paratë, udhëheqjes së Mbretërisë nuk i mbetet tjetër vetëm se një nga dy opsionet: huamarrja – dhe ajo në sasi shumë të mëdha – nga brenda dhe jashtë vendit nëpërmjet lëshimit të obligacioneve Thesarit Saudit apo likuidimit të aseteve dhe shitja e kompanive publike në kuadër të politikës së “privatizimit”. Vënia në shitje e 5 për qind të aksioneve të ARAMCO-së është hapi i parë në një seri hapash të ngjashme, duke përfshirë edhe kompani më të mëdha në pronësi të shtetit e të popullit… dhe lista është e gjatë.

Momentalisht, Arabia Saudite është duke humbur dy gjëra të rëndësishme: së pari prestigjin, apo pjesën më të madhe të tij, dhe së dyti, fuqinë e butë financiare. Kjo është një humbje e madhe dhe e vështirë për t’u kompensuar, në të gjitha rastet.

⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 14 maj 2017./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne