Bota

Arrestim tjetër për vrasjen e ish-ambasadorit rus në Ankara

Në kuadër të hetimit që vazhdon për atentatin ndaj ish-ambasadorit të Rusisë në Ankara, Andrey Karlov është arrestuar bashkëshortja e Shahin Sëyt (Şahin Söğüt), i cili sipas hetimeve ka qenë ‘mentori’ (abi) i atentatorit Mevlut Mert Alltëntash (Mevlüt Mert Altıntaş) brenda organizatës terroriste FETO.

Ajshe Sëyt (Ayşe Söğüt) u mor në pyetje nga prokurori në cilësinë e të dyshuarës në kuadër të procesit të hetimit. Pastaj zonja Sëyt u nxor para gjykatës së gatshme penale të shkallës së parë me kërkesën e Prokurorisë për vendosjen ndaj saj masën e sigurisë “arrest në burg”, por gjykatësi në fund të seancës e la të lirë atë me detyrim paraqitjeje.

Vetëm se prokurori e kundërshtoi vendimin e Gjykatës, e cila e la të lirë Ajshe Sëyt. Pas rishqyrtimit të çështjes gjykata penale e shkallës së parë vendosi për të pandehurën masën e sigurisë “arrest në burg”.

Mësohet se zonja Sëyt ka punuar në kompanitë e ndërlidhura me FETO-n dhe ka përdorur aplikacionin “ByLock”, programi i organizatës për komunikim.

Ish-ambasadori i Rusisë në Ankara, Andrey Karlov kishte humbur jetën si pasojë e sulmit me armë zjarri, kryer më 19 dhjetor 2016 në një ekspozitë në Ankara nga Mevlut Mert Alltëntash. Atentatori ishte qëlluar nga policia dhe kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Në kuadër të hetimit të ngjarjes janë arrestuar 9 persona, në mesin e të cilëve edhe kuratori i ekspozitës, disa policë dhe ish-punonjësi i Autoritetit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit (Bilgi Teknolojileri ve İletişim Kurumu- BTK), Shahin Sëyt, ‘mentori’ i Alltëntashit brenda FETO-s.

Shahin Sëyt kishte pohuar se ishte ai që i kishte komunikuar atentatorit (Alltëntash) urdhrin e organizatës (FETO) për vrasjen e ambasadorit rus, Andrey Karlov./ trt