Një burrë është akuzuar për mizori ndaj kafshëve pasi dyshohet se ka qëlluar dhe vrarë 98 kangurë në Uellsin e Ri Jugor të Australisë, sipas një deklarate të policisë. Trupat e kafshëve, së bashku me kutitë e municionit dhe gëzhojat e harxhuara, u gjetën pranë qytetit Singleton në Luginën Hunter në tetor.
Në një deklaratë të hënën, policia e Uellsit të Ri Jugor tha se një 43-vjeçar u arrestua dhe u akuzua për gjashtë vepra, duke përfshirë kryerjen e një akti të mizorisë së rënduar ndaj kafshëve dhe dëmtimin e një kafshe të mbrojtur.
Burrit iu dha lirimi i rreptë me kusht për t’u paraqitur në gjykatë më 13 janar. Deklarata nuk elaboroi motivet e mundshme të të dyshuarit.
Kangurët janë ndër kafshët më të njohura të Australisë. Marsupialët më të mëdhenj në botë janë kafshë të egra amtare të mbrojtura sipas Aktit të Ruajtjes së Natyrës të vitit 1992. Në vitin 2021, dy djem adoleshentë u deklaruan fajtorë për vrasjen e qëllimshme të 14 kangurëve në Uellsin e Ri Jugor.
Djemtë, të dy të moshës 17-vjeçare në atë kohë, i futën automjetet e tyre kafshëve “pa ndonjë arsye të vërtetë, përveç një shpërthimi në tru”, citoi ABC të thoshte një gjykatës.
Secili u përball me një akuzë për rrahje dhe vrasje të pakujdesshme të kafshëve, një krim që dënohet maksimalisht me tre vjet burg.
Pasi u deklaruan fajtorë, dy adoleshentët u referuan në një konferencë të shkelësve të rinj, ndërsa akuzat kundër tyre thuhet se u hodhën poshtë më pas.
Sipas ligjit të Uellsit të Ri Jugor, kushdo që dënohet për mizori ndaj kafshëve përballet me deri në pesë vjet burg dhe një gjobë prej 22,000 dollarë Australianë (15,000 dollarë).
Sipas statistikave zyrtare të cituara nga gazeta Sydney Morning Herald, gjatë pesë viteve të fundit, vetëm 4.2% e rasteve të mizorisë së kafshëve rezultuan në burg./RT/GazetaImpakt