Arrestohet vrasësi i dyshuar i gazetares bullgare Marinova

Mediat bullgare shkruajnë se policia ka arrestuar sot një person të dyshuar për vrasjen e gazetares Victoria Marinova.

Trupi i pajetë i gazetares e cila po bënte një hetim për korrupsion të mundshëm në qeveri, u zbulua të dielën.

Siç raportohet në bazë të informatave akoma të pakonfirmuara, është arrestuar një person i dyshuar, më saktësisht një shtetas rumun i cili posedon edhe pasaportë moldave. Aktualisht nuk ka informacione më të detajuara për rastin në fjalë.

Policia është duke kryer një hetim për përdhunim dhe vrasjen e gazetares 30-vjeçare, trupi i të cilës u gjet në një park në qytetin e saj.

Prokuroria shtetërore bullgare tha të dielën se gazetarja e televizionit lokal TVN Marinova, është vrarë me ngulfatje, në qytetin Ruse në veri të vendit.

– Hetim mbi abuzimin e fondeve të BE-së

Prokuroria bullgare ka nisur një hetim mbi abuzimin e fondeve të Bashkimit Evropian (BE), të cilës i parapriu vrasja brutale e gazetares  Marinovaa e cila shkroi për një korrupsion të mundshëm ne qeverinë e Bullgarisë.

Ministria e Brendshme bullgare, nisjen e hetimit e publikoi të hënën vonë.

Ministria e Punëve të Brendshme të Bullgarisë bëri të ditur se pjesë e hetimit të tyre është grupi GP, një kompani ndërtimore e cila siç thuhet, ka abuzuar me fondet e BE-së dhe se ka ngrirë 14 milionë euro të saj.

Gjatë ditës së djeshme në Bullgari u mbajtën protesta për vrasjen e gazetares 30-vjeçare Viktoria Marinova. Protestat u mbajtën në shumë qytete të mëdha në Bullgari, duke përfshirë kryeqytetin Sofje.

Gjithashtu dhe kryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, Cveta Karajançev, dënoi vrasjen e gazetares bullgare. Karajançeva theksoi se hetimi së shpejti do të zgjidhte të gjithë çështjen.

Nryshe ky është rasti i tretë i vrasjes së një gazetari në BE në periudhën e fundit njëvjeçare.

Kujtojmë se në tetor të vitit 2017 u vra gazetarja nga Malta, Dafne Karuana Galicija, ndërsa në shkurt të këtij viti gazetari sllovak Jan Kucijak.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne