Arta Marku nën hetim për shkelje të rëndë ligji, kandidimi për Kryeprokurore i paligjshëm

Arta Marku nuk duhet të ushtrojë as funksionet e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, jo më të jetë një ndër kandidatet e mbështetura nga mazhoranca për t’u zgjedhur Kryeprokurore e Republikës së Shqipërisë, për një mandat 7 vjeçar.

Nëse do zbatohej ligji, shqiptarët s’do ishin bërë dëshmitarë të makinacioneve të Ulsi Manjas për t’i garantuar pikët maksimale Artës që të kapë vendin e parë në listën e kandidatëve për kreun e prokurorisë, as të maskarallëqeve të këshilltarit të saj Besnik Cani që zvarriti pa fund procesin.

Arta Marku duhej të ishte në jetën e saj private, deri në momentin kur gjykata të vendoste në lidhje me një kallëzim penal që ajo ka në ngarkim, për shkelje të rëndë të ligjit me pasojë degjenerimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Pra ka një procedim penal për Prokuroren e Përgjithshme për kallëzimin e PD dhe LSI, rasti “Bujar Sheshi”, për shpërdorim detyre. Ky kallëzim është regjistruar më 4 shkurt 2019. Në këto kushte Arta Marku nuk mund të kandidojë për Kryeprokurore, ndërkohë që dhe KLP nuk ka tërhequr asnjë akt nga prokuroria e Tiranës, sipas detyrimit ligjor, për këtë kallëzim ndaj saj, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Konkretisht, dy partitë më të mëdha opozitare, PD-PS përmes krerëve të grupeve parlamentare përkatësisht Edmond Spaho dhe Petrit Vasili kanë depozituar një kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës kundër Arta Markut, më 29 janar dhe siç e nënvizuam, është regjistruar më 4 shkurt 2019.

Sipas kallëzuesve penalë, Prokurori i Përgjithshëm më 24 shtator 2018, rishpall thirrjen për aplikim për KLP, nga radhët e Prokurorive të Apelit dhe i vetmi qe iu përgjigj thirrjes për aplikim për të kandiduar për KLP, ishte Bujar Sheshi.

Ai paraqiti të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga ligji, duke përfshirë formularin që pranonte të verifikohej se nuk kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Kryeprokurorja ia përcjell më 26 tetor 2018 Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sepse qenia si bashkëpunëtor i Sigurimit është kusht pengues për kandidimin në KLP.

Por në ngutje e sipër, Arta Marku as që e priti përgjigjen e Autoritetit edhe pse ishte e detyruar ta bënte një gjë të tillë, me qëllim verifikimin e përmbushjes së një kriteri ligjor të detyrueshëm për kualifikim.

Prokurorja e Përgjithshme thirri Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve në datën 11 dhjetor 2018, brenda afatit që kishte Autoriteti për të verifikuar Sheshin, e paraqiti listën e kandidatëve, duke përfshirë pikërisht edhe prokurorin Bujar Sheshi.

Në këtë mënyrë, sipas paditësve Arta Marku nuk ka përmbushur përgjegjësinë ligjore për verifikimin paraprak të kushteve ligjore të kësaj kandidature, qenia ose jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme u publikua vetëm një relacion i administratës së Prokurorisë që drejtohet nga Arta Marku, ku konkludohet se kandidatura e Bujar Sheshit është verifikuar dhe i plotëson kushtet ligjore!

Në fakt, në brendësi të relacionit qartësisht evidentohet se nuk është verifikuar kushti ligjor për bashkëpunimin e Bujar Sheshit me ish-Sigurimin e Shtetit.

Konkretisht në faqen 3 të relacionit shënohet: “Për verifikimin e pikës “dh” “e”, për kushtet, kandidati ka paraqitur deklaratat, dhe nga ana jonë është kërkuar konfirmimi dhe në Autoritetin per Informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit”.

Bujar Sheshi ishte kandidatura e vetme nga Prokuroritë e Apelit për Tiranën, e Krimeve të Rënda saktësisht, dhe u shpall fitues në mbledhjen e përgjithshme të Prokurorëve të datës 11 dhjetor 2018, pa u votuar fare.

Praktikisht, Bujar Sheshi u caktua në KLP, pasi procesit zgjedhor i mungoi gara, duke mos patur asnjë kandidat përballë. Fleta e votimit përmbante vetëm emrin e tij dhe nuk kishte as alternativat “pro” dhe “kundër”.

Për këtë arsye paditësit këmbëngulin në faktin se Arta Marku ka shkelur ligjin, dhe për këtë arsye, duke vlerësuar se ndërmarrja e veprimeve të tilla me dashje direkte dhe në shkelje kaq flagrante të Kushtetutës e të ligjit, Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime në dëm jo vetëm të ligjshmërisë së përbërjes së KLP, por edhe në dëm të vetë interesave të ligjshme të shtetit, për shkak se cënohet rëndë besimi i publikut tek organi i prokurorisë.

Ndaj dhe paditësit kanë kërkuar që të merret masa e sigurimit personal ndalues, e “Pezullimit të Ushtrimit të detyrës publike”. Në këtë rast sipas tyre, pezullimi nga detyra, është parakusht edhe për një hetim të pavarur dhe të paanshëm, duke qenë se e kallëzuara Marku është në funksionin e drejtuesit më të lartë të organit të prokurorisë.

Njëherësh paditësit kanë kërkuar sipas Kodit të Procedurës Penale dhe “ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale”, për Arta Markun dhe Bujar Shehsin, të cilët nëse vijojnë punën mund të prishin provat apo të pengojnë hetimin”.

Pra, Arta Marku ka kryer një shkelje të rëndë të ligjit dhe Kushtetutës e për këtë në prokurorinë e Tiranës ka një kallëzim penal ndaj saj, i cili vijon të jetë në fuqi dhe ende nuk ka një pezullim apo pushim të çështjes.

Dhe përsa kohë kallëzimi penal vijon të jetë në fuqi, Arta Marku nuk ka asnjë të drejtë ligjore që të jetë në garë për Prokurore e Përgjithshme apo dhe për ushtrimin e ndonjë detyre tjetër të rëndësishme.

Që të kuptohemi, nuk mund ta shpallim të fajshme as të pafajshme, pasi përsa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë, nuk mund të kemi prezumim të pafajësisë. Por Arta Marku nuk ka asnjë të drejtë ligjore dhe kushtetuese që me një çështje penale të pambyllur nëpër këmbë të kërkojë të zgjidhet Prokurore e Përgjithshme.

Nëse vijon garën në këto kushte, jo vetëm që shkel ligjin, por kompromenton rëndë drejtësinë e re ende pa nisur dhe tregon qartë se ajo është kapur nga Edi Rama./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne