Astrit Patozi: Pse largimi i Fatmir Xhafës nuk është meritë e opozitës, si ndikuan “Xhuxhi” dhe Tahiri në…

Ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, beson se dorëheqja e Fatmir Xhafajt nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme i gjeti të papërgatitur të gjithë, përfshirë edhe opozitën e faktorin ndërkombëtar.

Patozi flet për merita të padiskutuara të opozitës në denoncimin e vazhdueshëm që i kanë bërë Fatmir Xhafajt, por sipas tij, reagimet e eksponentëve të PD që shoqëruan dorëheqjen ishin joserioze.

Sipas Patozit, deputetët e PD-së, në vend të mbanin linjën zyrtare të kryetarit të PD-së, nxituan për të marrë merita personale për largimin e Xhafajt. Ish-nënkryetari i PD-së thekson se Rama e Basha, pavarësisht se nuk janë në një marrëveshje mes tyre, vijojnë të merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin.

Për 12 muaj që Xhafaj ushtroi detyrën, ai ishte ministri më i sulmuar nga opozita. Besoni se largimi i Xhafajt nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme duhet parë si një fitore e opozitës apo si rrjedhojë e luftës së brendshme brenda PS-së?

Arsyeja mund të ishte edhe komplementare, pra një rezultante e të dyjave, pavarësisht se momenti i dorëheqjes ishte aq i papritur, sa nuk të jepte shumë mundësi ta shisje si fitore. Ndërkohë, askush nuk mund ta mohojë se sulmet e pareshtura të opozitës kishin lënë gjurmët e veta mbi zhguallin sado të fortë e të regjur në beteja politike të Fatmir Xhafajt. Dhe pa diskutim që, më shumë se atij vetë, ia kishin vështirësuar jetën dhe ia kishin prishur ritmin gjithë qeverisë. Por çudia ishte se opozita reagoi në mënyrën më joserioze ndaj kësaj ngjarjeje me valencë të fortë politike.

Një numër i madh eksponentësh të Partisë Demokratike u futën në një garë të çuditshme interpretimesh për dorëheqjen e Xhafajt, gjë që e bëri qesharak qëndrimin zyrtar të saj. Dhe e gjitha ndodhi pasi Lulzim Basha kishte dalë shumë shpejt me deklaratë, ndryshe nga ç’ndodh zakonisht kur ose mendohet gjatë, ose nuk flet fare. Dhe normale do të ishte që të tjerët pas tij ose duhet të heshtnin, ose të përpiqeshin ta ndiqnin në një farë mënyre kryetarin, duke e shpjeguar me fjalë të ndryshme të njëjtën gjë.

xhafajtahiriDhe më e pakta që mund të thuhet në këtë rast është se, jo vetëm nuk ekziston autoriteti i kryetarit, por as respekti më minimal ndaj tij, që të mos flasim fare pastaj për ca rregulla të pashkruara që çdo forcë politike serioze nuk ia lejon vetes të mos i zbatojë. Famir Xhafajn nuk mund ta detyronin të jepte dorëheqjen njëkohësisht edhe opozita, edhe Saimir Tahiri, edhe dosja e të vëllait, edhe Edi Rama, edhe “Xhuxhi”, edhe përleshjet mes klaneve rivale të mafies, edhe një regjistrim rozë, edhe …edhe…

Që ta them siç e mendoj, Xhafaj iku se u lodh njëkohësisht nga të dy faktorët. Nga njëra anë akuzat e pandërprera të opozitës, që nuk kishin shanse të zbeheshin, përkundrazi, me afrimin e datës së zgjedhjeve, do të intensifikoheshin. Nga ana tjetër, mungesa e konfidencës me Kryeministrin, që për një anëtar kabineti është element shumë i rëndësishëm. Kjo është më e pakta që mund të thuhet për një marrëdhënie të ftohtë mes dy njerëzve të pushtetshëm, ku shquhej qartë që Xhafaj nuk ishte ndër të preferuarit e Ramës si në prejardhjen e karrierës, ashtu edhe stil apo në sjellje.Për të qenë realist, unë mendoj se momentin Xhafaj e ka zgjedhur vetë.

Sepse gjeti një ditë që i kapi gafil të gjithë. Politikën, shtypin, e sidomos ndërkombëtarët. Po të ishte për Partinë Demokratike ai do të kishte ikur që kur doli përgjimi i “Babales”, për të mos thënë më parë, që kur Basha deklaroi se ai do të kalonte vetëm mbi trupin e tij. Ndërsa po të ishte për Ramën, ai do ta kishte hequr në shtator, me nisjen e sesionit të ri, menjëherë pas pushimeve, bashkë me ndonjë ministër tjetër të parëndësishëm, sa për shoqërues misi.

Opozita e denoncoi përmes dokumenteve dhe materialeve audio e video vëllain e Xhafajt dhe influencës që Fatmir Xhafaj dha për të penguar dënimin e tij. Besoni se për opozitën do të ishte më e favorshme që ai të qëndronte në detyrë për ta përdorur si “kalë beteje” në aksionin politik të dobësimit të qeverisë, apo duhet parë nga opozita si triumf i një kauze të fituar?

Që ta them me dy fjalë. Ikja e Xhafajt e lehtëson disi maxhorancën prej ngarkesës që ka marrë për lidhjet me krimin dhe me trafiqet. Dhe duket sikur prej ballonit të qeverisë së Edi Ramës kanë hedhur një thes me rërë që të mos binte dhe për të vijuar disi fluturimin.Dhe jam i sigurt se ata që dinë më shumë nga politika dhe që kanë mbetur ende në PD, këtë gjë e kuptojnë shumë mirë, sepse e shoh nga reagimet e tyre nervoze. Kjo natyrisht nuk ka lidhje fare me performancën reale të Fatmir Xhafajt si ministër, por me faktin që ai ishte lehtësisht i atakueshëm për shkak të historisë së të vëllait.

Gjë që nuk mund ta thuash më për emrin e ri që ka propozuar Rama, CV-ja e të cilit nuk ka ndonjë cen, për t’u bërë target i sulmeve të opozitës. Por tek e fundit, kjo tashmë është një histori e mbyllur dhe opozita duhet të përshtatet me këtë realitet të ri. Në finale, Edi Rama ka humbur dy ministra të Brendshëm, njëri pas tjetrit, të cilët kanë ikur duke mbajtur mbi supe akuza të ngjashme.

Nuk ka rëndësi koha dhe mënyra se si janë larguar. Edhe sikur aksident po t’u kishte ndodhur, do të quhej se edhe opozita e kishte një meritë. Jo në rastin që ajo kishte bërë shumë në denoncimin e të dyve dhe nuk kishte pse të mos e konsideronte këtë edhe si produkt të saj.

Burimi: Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne