Audituesit e qeverisë ndezin alarmin: Rritje e frikshme e borxhit të fshehur

Audituesit e qeverisë, pranë Ministrisë së Financave, të cilët kontrollojnë përdorimin e fondeve buxhetore, ndezën e alarmin e kuq për rritjen e frikshme të borxhit të fshehur që këtë vit, kap shifrën e 70 miliardë lekëve, me një rritje 27% nga viti i kaluar.

Mbi 46% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk janë kontabilizuar brenda afatit prej 30 ditësh në sistemin e thesarit (SIFQ) më 2019. Shihet se situata ka dalë jashtë kontrollit nga ndryshimi i destinacionit të shpenzimeve, në kundërshtim me pasqyrat e buxhetit të shtetit që miratohen në Kuvend.

Audituesit zbardhin të gjithë zinxhirin e defekteve që rikthyen borxhin e fshehtë, ndërsa Ministria e Financave ka faturuar shlyerjen e këtij detyrimi përtej mandatit qeverisës

Nuk është i largët viti 2013, kur morali i qeverisë në ikje ra përdhe edhe nga paaftësia për të shlyer 72 miliardë lekë borxhe ndaj bizneseve dhe individëve, të cilat ishin krijuar ndër vite nga kontratat e papaguara për punë e shërbime, nga faturat e vendimeve të gjykatave, mosrimbursimi në kohë i TVSh-së etj.

Kjo praktikë e dëmshme, që u bë shkak për dobësimin e ekonomisë dhe rritjen e borxhit publik me të paktën 5,3%, nuk duhet të ishte përsëritur, pasi leksioni i hidhur i 2013-s, solli një seri ligjesh dhe udhëzimesh që e parandalonin rikthimin e tyre. Donatorët, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar investuan miliona euro asistencë teknike për të forcuar kapacitetet e menaxhimit, në drejtim të moskrijimit të borxheve të fshehura. Ende pa përfunduar shlyerja e valës së parë, nisi krijimi i detyrimeve të reja.

Që nga viti 2014 deri në vitin 2020, borxhet jashtë llogarive fiskale, zëri që përfaqëson detyrimet e prapambetura, arritën në 70 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nivel thuajse i njëjtë me atë të vitit 2013.

Stoku i detyrimeve të fshehura u zgjerua me 27% brenda vitit, për shkak se tashmë janë kontabilizuar edhe rreth 100 milionë euro të fituara kundër Shqipërisë nga biznesmeni Francesco Becchetti, në gjykatat ndërkombëtare.

Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, zbuloi në një raport të posaçëm, se në vitin 2019, mbi 46% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk janë kontabilizuar brenda afatit prej 30 ditësh në sistemin e Thesarit (SIFQ).

Për herë të parë, kjo drejtori, që ushtron edhe funksionet e auditit në qeveri, vuri alarmin e kuq, duke e konsideruar me risk të lartë krijimin e detyrimeve të prapambetura. Procesi i auditit zbuloi se krijimi i detyrimeve erdhi nga keqfunksionimi i të gjithë zinxhirit, që nga procesi i planifikimit e deri te përdorimi i fondeve, teksa akumulimi i tyre ka dalë jashtë kontrollit, kryesisht prej kapaciteteve të mangëta menaxhuese.

Burime nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave shpjeguan se detyrimet e prapambetura, gjatë kësaj periudhe, janë krijuar kryesisht nga katër arsye kryesore. Së pari, në disa raste, kontratat për investime realizohen përtej parashikimeve buxhetore.

Së dyti, autoritetet kontraktuese ndryshojnë destinacionin e fondeve nga një projekt në një tjetër. Shpesh, projekti i ri ka nevoja më të mëdha për financime dhe bëhet shkak për akumulim detyrimesh. Së treti, problematike në drejtim të krijimit të detyrimeve mbetet fakti se 70% e fondeve për investime apo mirëmbajtje alokohej në dy muajt e fundit. Së katërti, autoritetet kontraktore vuajnë nga një nivel i ulët menaxhimi, shpjegoi burimi nga Drejtoria e Thesarit.

Ish-drejtori i Auditit të Buxhetit në Kontrollin e Lartë të Shtetit, Azmi Stringa, tha se, gjatë kontrolleve në një vit, çeljet e thesarit ishin 60 miliardë lekë më shumë se buxheti i miratuar.

Zoti Stringa tha se ligjet që parandalojnë krijimin e detyrimeve janë të rrepta, por nuk janë zbatuar, shumë persona duhet të hetoheshin, por deri më tani, nuk është marrë as edhe një masë administrative, tha ai.

Stoku i detyrimeve të prapambetura tashmë ka dalë jashtë kontrollit edhe sipas Drejtorisë së Auditit të Qeverisë në Ministrinë e Financave, e cila dha alarmin që paraqet rritja e tyre në një raport të posaçëm. Audituesit e qeverisë, për herë të parë, kanë nënvizuar me ngjyrë të kuqe dhe me germa kapitale rrezikun e lartë që po buron nga borxhi i fshehur. 90% e këtij detyrimi mbi 50 miliardë lekë do të mbartet në llogaritë fiskale përtej këtij mandati qeverisës, sipas planifikimit afatmesëm të Ministrisë së Financave në rishikimin e fundit të kuadrit fiskal.

Ligji për Menaxhimin Buxhetor në RSH është shumë i rreptë për marrjen e angazhimeve (firmosje kontratash) nga institucionet publike pa pasur fondet në dispozicion. Kur nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme merr përsipër angazhime jashtë fondeve të parashikuara në buxhet ose në kundërshtim me këtë akt apo akte të tjera ligjore është përgjegjës për shlyerjen e detyrimit.

Pra e thënë thjesht, nëse firmoset një kontratë pa fonde buxhetore e cila sjell pastaj detyrime të prapambetura këto nuk do t’i paguajnë qytetarët me taksat e tyre, por titullari i institutionit që ka shkaktuar me veprimet e tij të kundraligjshme këtë detyrim.

Ajsbergu i detyrimeve të fshehura

Para se qeveria Rama të autorizonte një audit nga ‘Deloitte & Touche’ në vjeshtën e vitit 2013, për të zbardhur në mënyrë të pavarur borxhin e fshehur, aludohej se shifra e detyrimeve ishte jo më shumë se 15 miliardë lekë, rreth 110 milionë euro me kursin e këmbimit të asaj kohe.

Në janar të vitit 2014, pas një auditimi rreth dymujor, Deloitte raportoi se, faturat e pashlyera përbënin rreth 72 miliardë lekë, ose 518 milionë euro me kursin e këmbimit të kohës. Shuma, e cila ishte sa 5,3% e PBB-së, u mor hua në formën e mbështetjes buxhetore nga FMN dhe Banka Botërore.

E njëjta situatë rrezikon të përsëritet. Nga një audit i pathelluar në institucionet dhe entet publike, Ministria e Financave ka zbardhur një vlerë detyrimesh prej 69,9 miliardë lekësh për këtë vit, që rrezikon të rritet nëse të gjitha institucionet që përdorin fonde buxhetore auditohen. Por në vitet në vijim, borxhi i fshehur do të jetë nën presionin e faturave të larta të kontratave koncesionare PPP.

Vlera e lartë e këtyre kontratave, nga njëra anë, dhe burimet e kufizuara në të ardhurat buxhetore, për shkak edhe të efekteve të pandemisë Covid-19, rrezikon të çojë borxhin jashtë llogarive fiskale në nivele të papërballueshme. Qeveria ka shteruar arsenalin fiskal për të shlyer faturat e fshehura, duke e rritur borxhin zyrtar përtej nivelit 80%, ndërkohë që taksat dhe tatimet gjithashtu e kanë konsumuar hapësirën e rritjes, pasi Shqipëria e ka nivelin e tyre më të lartin në rajon. Borxhi i fshehur rëndon mbi Ministritë e Shëndetësisë, Arsimit, Transportit

Në nivel të përgjithshëm, stoku 12-mujor i detyrimeve të prapambetura për vitin 2019 është rritur me 33% krahasuar me stokun e detyrimeve të vitit paraardhës 2018. Specifikisht, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme rezultojnë me shkallën më të lartë të reduktimit të detyrimeve nga viti 2018 në vitin 2019.

Ndërkohë që, disa ministri të tjera rezultojnë me një nivel më të lartë detyrimesh në vitin 2019 krahasuar me një vit më parë, ku rritjen më të lartë e ka pasur Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Brendshme, të cilat janë vlerësuar me 1 pikë.

Shpenzimet kapitale, me devijime të mëdha

Nga të gjithë zërat buxhetorë, shpenzimet kapitale janë përgjegjëse për pjesën dërrmuese të detyrimeve të prapambetura. Auditi i qeverisë ka vërejtur se gjatë vitit 2019, realizimi i shpenzimeve kapitale paraqet devijimin të madh nga planifikimi në buxhet, i miratuar në Kuvend. Për vitin 2019, ky tregues është vlerësuar mesatarisht me 0.65 pikë nga 4 pikë të mundshme, ose vetëm 16.3% e detyrimeve vjetore të përcaktuara në fillim të vitit.

Raporti i audituesve tregon se, devijimi i përdorimit të fondeve publike për investime është përkeqësuar më tej në vitin 2019.

Nga të gjitha grupet e njësive të qeverisjes së përgjithshme të marra në analizë, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë devijimin më të lartë, në krahasim me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura. Në ato njësi, të cilat paraqesin një performancë shumë të ulët të realizimit të këtij treguesi, evidentohet se shkaqet kryesore janë të lidhura kryesisht me problematikat dhe vonesat që ndodhin gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit.

Ministria e Financave zbardh zinxhirin e krijimit të borxhit të fshehur

Drejtoria e Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka koordinuar gjatë vitit 2019 një audit të brendshëm në të gjitha njësitë publike, të cilat figuronin në Raportin e Zbatimit të Buxhetit në fund të vitit 2018, me detyrime të prapambetura.

Pjesë e këtij angazhimi u bënë 58 njësi të vetëqeverisjes vendore, si dhe Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, ARRSH.

Gjatë vitit 2019 janë raportuar të realizuara në total 32 auditime të detyrimeve të prapambetura, përkatësisht në 4 në ministritë e linjës, 20 Bashki, 5 Spitale Rajonale dhe 3 shoqëri aksionere me kapital publik.

Defektet në sistemin e kontabilitetit

Ministria e Financave, nga 32 auditimet e kryera më 2019, gjeti pasaktësi të informacionit kontabël, të cilat mbartin gabime në regjistrimin e plotë të të gjitha detyrimeve, që nga koha e krijimit të tyre mungon.

Raporti i Ministrisë së Financave nuk ka një bazë të dhënash të saktë dhe të rregullt, me informacionin e plotë të krijimit të këtyre detyrimeve, arsyen e krijimit dhe vazhdimit të këtij detyrimi në vite për këta furnitorë.

Njohja dhe klasifikimi i detyrimeve nga vendimet gjyqësore dhe kohës së krijimit të tyre për këtë kategori nuk është kryer sipas standardeve të kontabilitetit publik. Jo të gjitha llojet e detyrimeve financiare të pashlyera janë pasqyruar në Deklaratat dhe Raportet Financiare, specifikë kjo e detyrimeve të krijuara nga proceset gjyqësore, shprehen audituesit e qeverisë.

Ministria e Financave raportoi se detyrimet për vendimet gjyqësore, kontabilizohen në momentin e pagesës dhe nuk janë regjistruar sipas vlerës së përcaktuar në vendim apo përllogaritjeve të kryera nga Drejtoria Juridike, bazuar në vendimet gjyqësore. Gjithashtu nuk është respektuar parimi për shlyerjen e detyrimeve si dhe janë shkelur afatet e likuidimit të pagesave.

Më tej, raporti i Financave vë në dukje se, pagesat e detyrimeve kontraktore janë kryer me vonesë, tej afateve të përcaktuara në kontratë, apo në ligj nga ana e autoritetit publik kontraktor. Gjithashtu, nuk janë kryer likuidime sipas kushteve të kontratës, për kontratat e lidhura me afate disavjeçare. Avancimi i punimeve nga operatorët ekonomikë është njohur si detyrim i prapambetur.

Mosrakordimi i informacionit financiar, ndërmjet Degës së Thesarit dhe njësisë shpenzuese, identifikon riskun se sistemet e kontrollit nuk japin siguri për besueshmërinë e informacionit financiar. Kjo situatë sipas audituesve vërtetohet, së pari, nga mosdërgimi i shtesave të kontratave në Degën e Thesarit.

Së dyti, nga likuidimi i faturës së pakontabilizuar më parë ka sjellë lindjen e detyrimit.
Së treti, në llogarinë 401, janë shtuar disa “Furnitorë”, faturat e të cilëve janë pranuar, janë bërë hyrje dhe janë kontabilizuar, ndërsa në fakt nuk figurojnë në pasqyrat financiare të vitit 2018, të depozituara në Degën e Thesarit, si “Detyrime Financiare të prapambetura”.

Së katërti, janë gjetur shkelje të standardeve të kontabilitetit, llogaria e të tretëve, nuk është mbajtur në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.

Së pesti, njësia publike ka kryer likuidimin pjesor të faturave. Moshartimi i një akt rakordimi midis palëve, ka ndikuar që regjistrimi në pasqyrat financiare të këtyre detyrimeve të jetë më i vogël ose më i madh nga gjendja reale e palikuiduar.
Së gjashti, raporti i audituesve të qeverisë gjeti mospërputhje midis vlerës së mbetur të faturave të palikuiduara dhe të regjistruara në kontabilitet.

Defektet në programimin dhe zbatimin e buxhetit

Audituesit raportuan se pasaktësia në informacionin e Deklaratave Financiare mbart efektin dhe në buxhetimin për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke mos u parashikuar saktë kërkesat për fonde në projektbuxhetet afatmesme (PBA afatmesëm 2018 – 2020).

Sipas audituesve nuk ka rakordim periodik të vlerave të detyrimeve sipas vendimeve gjyqësore. Përmbarimi gjyqësor nuk ka përcjellë pranë titullarit të njësisë shpenzuese dhe degës së thesarit, njoftimin për ekzekutimin vullnetar dhe të detyruar të detyrimit.
Nga ana tjetër, entet publike nuk kanë hartuar dhe depozituar pranë Degës së Thesarit, planin e shlyerjes së detyrimeve financiare të prapambetura. Njësitë publike nuk kanë respektuar plotësisht planin e shlyerjes së “Detyrimeve të prapambetura financiare” për vitin 2018, të përfshirë në buxhetin e saj.

Plani i shlyerjes së detyrimeve të vendimeve gjyqësore është sipas afatit të krijimit të tyre, por nuk është bërë publike në faqen on-line të njësisë shpenzuese, ose në forma të tjera të publikimit, grafiku i shlyerjes së detyrimeve.

Raporti i audituesve thotë se nuk është raportuar në mënyrë periodike mbi bazë 3-mujore, me shkrim ose me rrugë elektronike, për detyrimet e prapambetura, si dhe ato të lindura rishtazi.

Regjistri i riskut nuk ka përfshirë identifikimin e risqeve që pengojnë reduktimin, shlyerjen dhe parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja.

Është vërejtur mungesë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve / strukturave të përfshira në proces, si rezultat i komunikimit të dobët, ose mungesës totale të komunikimit. Në rastet e detyrimeve për proceset gjyqësore ka mungesë komunikimi ndërmjet Drejtorisë Juridike dhe Drejtorisë së Buxhetit dhe Financës, vërejnë audituesit.

Ata pohojnë se ka mungesë komunikimi ndërmjet degës teknike në njësitë e prokurimit dhe Drejtorisë së Buxhetit dhe Financës. Gjithashtu mungon komunikimi dhe negocimi mes operatorit ekonomik dhe autoritetit kontraktor, lidhur me furnizimet dhe ekzekutimin e kontratave.

Defektet në sistemin e prokurimit

Audituesit kanë gjetur se nuk është dërguar dhe depozituar pranë Degës së Thesarit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, regjistri i prokurimeve për fondet publike, mallra e shërbime në fillim të çdo viti buxhetor, si dhe gjatë vitit ushtrimor.

Kontrollet kanë gjetur devijime të angazhimeve buxhetore, pasi me lidhjen e kontratave të mallrave, shërbimeve apo blerjeve me vlera të vogla, nuk merret përsipër likuidimi i detyrimit që lind për operatorin kontraktues (furnitorin). Shpesh, njësitë publike kanë pasur fonde të papërdorura përpara mbylljes së vitit buxhetor dhe këto fonde nuk janë përdorur për shlyerjen e një pjese të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Raporti i audituesve ka gjetur kontrata të lidhura përtej fondeve të disponueshme. Edhe pse subjekti nuk ka fonde të alokuara, merren përsipër angazhime për t’u shlyer në periudha e ardhshme.

Për vitin 2019, ka lidhje kontrate pas lëvrimit të mallrave, ose kryerjes së shërbimit, pa pasur fond limit e pa kryer procedurat përkatëse të prokurimit.

Për rrjedhojë janë krijuar dhe ka rritje të detyrimeve për fatura të palikuiduara, nga vitet 2014 deri në vitin 2018, që kapin vlerën e 70 miliardë lekëve. Sipas audituesve, stafi menaxhues, si ai zbatues dhe autorizues, nuk ka ushtruar me kompetencë detyrat funksionale, në drejtim të zbatimit të kërkesave të menaxhimit financimit dhe kontrollit dhe përdorimit me eficencë, efektivitet dhe ekonomi të burimeve publike./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne