Ballkani është kryeqyteti botëror i islamofobisë

nga Yiannis Baboulias.

Ishte një goditje e fortë për grekët kur dikush në Twitter vuri re fjalën “Turkofagos” në armën e Brenton Tarrantit, njeriut të akuzuar për vrasjen e dhjetëra muslimanëve muajin e kaluar në Christchurch të Zelandës së Re. Fjalë për fjalë përkëthehet “ngrënësi i turqve”. Historikisht ka qenë një term nderues që u jepej luftëtarëve të dalluar në revolucionin grek të vitit 1821 kundër Perandorisë Osmane.

Megjithatë, ekziston një kuptim edhe më i errët që qëndron prapa këtij termi, një kuptim për të cilin grekët kanë qenë prej kohësh të vetëdijshëm, dhe për të cilën edhe terroristi i Zelandës së Re ishte më se i qartë. Gjurmët e tij të kthejnë pas në kohë gjatë në lindjes së kombit grek, kur revolucionarët nuk luftuan vetëm ushtrinë osmane, por gjithashtu kryen edhe spastrime brutale etnike kundër muslimanëve dhe hebrenjve. Në ato kohëra, një “turk” nuk ishte vetëm një ushtar osman, ai ishte kushdo që nuk ishte i krishterë. Aspektet më të errëta të termit Turkofagos janë ringjallur kohët e fundit nga grupet e ekstremit të djathtë dhe nacionalistët, pasi termin e përdorin për të nderuar cdo vrasës të muslimanëve.

Tarrant ka gjasa që ta ketë hasur në këtë term kur kishte udhëtuar disa vite përpara sulmit përgjatë gjithë rajonit të Ballkanit, duke përfshirë Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën, Kroacinë dhe Bullgarinë, si dhe qëndrimin në Greqi për më shumë se dy javë. Duhet të vijë pak si çudi që këto ishin ndër destinacionet e tij të zgjedhura. Ato përbëjnë një turne madhështor të imagjinatës historike të ekstremit të djathtë të Perëndimit, i cili përqendrohet në luftërat gjenocidale ballkanike të viteve 90, të cilat i vunë të krishterët e rajonit kundër popullsisë së saj muslimane.

Në muzikën islamofobe që është një pjesë e përhapur e jetës në Ballkan, termi “turk” përdoret ende si term pezhorativ për t’iu referuar çdo muslimani. Fjala dëgjohet në tekstin e të paktën njërës prej këngëve që Tarrant dëgjonte para sulmit, një kengë nacionaliste serbe që lavdëronte Radovan Karaxhiçin, kriminelin e luftës të dënuar që udhëhoqi serbët e Bosnjes gjatë luftrave të viteve 1992-1995. “Turqit duhet të vriten”, thoshin vargjet që i referoheshin myslimanëve boshnjakë. Tarrant ishte gjithashtu edhe një admirues i njohur i serbëve të cilët kanë fituar lavdata nga grupet e ekstremit të djathtë për luftëtarët në betejat e famshme kundër ushtrive osmane, si Millos Obiliq, një kalorës i folklorit serb dhe Stefan Lazareviç, një princ serb i shekullit të 14-të.

Pas masakrës së Christchurch, ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi shkruajti në Twitter se “luftërat dhe gjenocidi i kryer nga ideologët serbë në Kosovë dhe Bosnjë duket se jenë bërë një pikë frymëzimi për ekstremistët e djathtë në mbarë botën.” Ndërsa komenti i tij përmban vërtetësi, edhe hedhja e fajit derës së Serbisë nuk është një vështrim i qartë. Ndërkohë që nacionalizmi i ashpër dhe ideologjitë e ekstremit të djathtë po mbijetojnë ende në vend, këto problematika shtrihen nëpër gjithë rajonin.

Megjithatë, ngjarjet e luftës së viteve 1992-1995 gjenden të vendosura në zemrën e imagjinatës së ekstremit të djathtë. Kjo është instanca e parë dhe e vetme brenda kujtesës së gjallë ku një konflikt në tokën evropiane është luftuar përgjatë vijave fetare, duke shkaktuar ringjalljen e një islamofobie historike.

Prania e ekstremit të djathtë në konfliktin e viteve 90 është e padiskutueshme. Përveç milicive lokale të ekstremit të djathtë, në luftime morën pjesë edhe vullnetarë ndërkombëtarë. Fenomeni do ta përsëriste veten me konfliktin në Ukrainë, ku neonazistët morën pjesë vullnetarisht për të luftuar në të dyja anët, dhe në disa raste u kthyen për të marrë pjesë dhe madje u përpoqën që të dominojnë lëvizjet në vendet e tyre, siç ishte rasti i veteranit francez Victor Alfonso Lenta, i cili u bë një figurë udhëheqëse tek lëvizja protestuese e Jelekëve të Verdhë.

Partia greke neo-naziste Agimi i Artë, e cila është bërë një pikë referuese për lëvizjet e ekstremit të djathtë në të gjithë botën falë suksesit të saj elektoral në vitin 2012, numëron në mesin e anëtarëve të saj vullnetarë të tillë. Për vite, studiuesit janë përpjekur që të përcaktojnë vendin dhe veprimtarinë e tyre në konflikt. Ata arritën të konstatonin se kishin qenë të pranishëm dhe mund të kenë marrë pjesë direkt edhe në masakrën e Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë. Ata gjithashtu morën pjesë në prita kundër myslimanëve që largoheshin nga qyteti. Këta vullnetarë të ekstremit të djathtë kanë arritur të shpëtojnë prej të gjitha dënimeve. Me tu kthyer në Greqi pas përfundimit të luftës, u bënë pjesë aktivë brenda ekstremit të djathtë. Përvojat e tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në etikën dhe metodologjinë e ekstremit të djathtë grek.

Në mënyrë të ngjashme edhe vullnetarë të tjerë kanë mbartur përvojat e tyre nga lufta ballkanike për në politikat e vendeve të tyre. Shembuj mund të gjenden tek milicitë bullgare që patrullojnë kufijtë e vendit për parandalimin e refugjatëve teksa përpiqen që të hyjnë nga Turqia. Thuhet se këta kanë përkujtuar në një marshim me pishtarë gjeneralin pro-nazist Hristo Lukov të epokës së Luftës së Dytë Botërore. Grupe të ngjashme janë bërë aktivë në të gjithë Ballkanin përgjatë gjithë gjurmës së refugjatëve nga Greqia deri në Evropën Veriore, ku gjithnjë e më shumë po spikaten çetnikët në Bosnjë.

Modeli është i qartë: Në të gjithë Perëndimin, ekstremi i djathtë i sotëm e imagjinon Ballkanin ende si një vend me popullsinë më të madhe muslimane jashtë Azisë dhe Afrikës, si dhe një epiqendër të fushë betejës. Në fjalorin e tyre, “turqit” shërbejnë si një stenografi e kërcënimit rajonal musliman, ndërsa refugjatët mendohen si pushtues që kanë si qëllim rrëzimin e “qytetërimit judeo-kristian”, siç e thotë shpesh edhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban./foreignpolicy/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne