Shkup, marsh në nder dhe kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Shkup

Në Shkup është mbajtur marshi tradicional për Srebrenicën, me të cilin boshnjakë dhe qytetarë nga bashkësitë e ndryshme etnike në Maqedoninë e Veriut shënuan 11 korrikun, Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu.

Marshi, i organizuar nga Këshilli Kombëtar Boshnjak (BNS), filloi në parkun e Komunës së Çairit dhe përfundoi në sheshin “Maqedonia”, ku u mbajt program përkujtimor.

Kryetari i BNS-së, Xhevat Hot, në fjalën e tij para të pranishmëve foli për sulmet dhe gjenocidin në Bosnjë e Hercegovinë, veçanërisht në Srebrenicë.

 

Sipas tij, ajo që ndodhi në Srebrenicë nuk ka ndodhur askund në botë.

“Shumë prej atyre kriminelëve sot do të donin që 11 korriku të mos ekzistonte në kalendar. Shumë do ta fshinin atë datë. Por ne nuk do të harrojmë kurrë. Ne do ta kujtojmë gjithmonë”, tha Hot, duke shtuar se marshimi i sotëm tregon se gjenocidi nuk duhet harruar.

Gjatë ditës së sotme, Komisioni për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, që është trup i përhershëm punues i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, mbajti seancë komemorative për shënimin e 11 korrikut, ku morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kujtojmë se gjatë gjithë viteve boshnjakët në Maqedoninë e Veriut i kanë kujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë me një sërë ngjarjesh informative dhe kulturore.

Në shkurt të vitit 2010, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbështeti rezolutën e Parlamentit Evropian për Srebrenicën.

Në korrik të vitit 1995, njësitë e ushtrisë së atëhershme të Republikës Srpska nën komandën e të dënuarit të Hagës Ratko Mlladiç kryen gjenocid kundër boshnjakëve në Srebrenicë, duke sulmuar “enklavën e mbrojtur të OKB-së” në Srebrenicë.

Në gjenocid u vranë 8.372 veta dhe dhjetëra mijëra gra, fëmijë e të moshuar u deportuan ose u detyruan të kërkonin strehim në pyjet përreth, duke kërkuar rrugën për në territorin e lirë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne