Nga Av. Faik Myftari
Sot me pjesëmarrjen e dhjetëra qindra qytetarëve dhe besimtarëve të Prizrenit, por edhe gjithandej Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, etj. e përcollëm dhe e varrosëm në Prizren, bamirësin dhe humanistin haxhi Kemal Jonuzin, i cili ndërroi jetë dje papritmas në moshën 73 vjeçare, dhe kaloi nga kjo botë e përkohshme në botën e përhershme në Ahiret.
Përveç duasë (lutjes) drejtuar Allahut-Krijuesit Fuqiplotë që ta mëshirojë me mëshirën e tij të gjithmbarshme shpirtin e ndritur të haxhi Kemalit, e pash të nevojshëm si një obligim njerëzor, fetar, shoqëror e moral ta përkujtojë me këtë shkrim post mortum (pas vdekjes), i cili si i tillë do të mbetet në kujtim të përhershëm të familjarëve, miqve, shokëve, imamëve, besimtarëve, etj.
Bamirësi dhe humanisti, haxhi Kemal Jonuzi, ka qenë një njeri i veçantë, atdhetar e besimtar në kuptim të plotë të fjalës, i cili që nga vitet tetëdhjeta, plot 45 vite ka kontribuar në thirrjen dhe përhapjen e fjalës së Allahut fuqiplotë dhe sunetit të pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s. jo vetëm me fjalë, por edhe në vepër, në praktikimin dhe zbatimin e sharteve të imanit e islamit, namazit, agjërimit, haxhit, sadakasë, zeqatit, përkujtimit të çastit të vdekjes, etj.
Ka themeluar Shoqatën Humanitare ”Kalliri i Mirësisë” me seli në Prizren, e më pas ka qenë edhe iniciator dhe organizator i ndërtimit të Kullës së Jetimit në Prevallë, të cilën e ka mirëmbajtë gjer fund të jetës së tij, ndërrimit jetë, ditën e diel, 12 janar 2025.
Plot një çerek shekull ka punuar dhe kontribuar për jetimët, duke i ndihmuar në forma të ndryshme, pothuajse tërë puna e tij ka qenë e karakterizuar dhe e dedikuar këtij qëllimi sa fisnik e bujar, poashtu edhe bamirës e human.
Përveç tjerash ka qenë gastronom “per exellent”, ushqimi dhe menyja e tij e përgatitur ka qenë në nivelin më të lartë të kuzhinerisë vendore. Me të vërtet ka pas prirje dhe talent të veçantë në përgatitjen e ushqimeve që servoheshin në menynë e restorantit ”Kulla e Jetimit” në Prevallë të Prizrenit.
Përveç kësaj bamirësi dhe humanisti haxhi Kemali, ka qenë njeri jashtëzakonisht mikpritës dhe bujar i cili i ka dashur pa masë mysafir, jo vetëm familjarë, por edhe shokë dhe miqtë, imam e besimtar të shumtë të cilët prore kanë qenë në fillim mysafir në shtëpinë e tij, duke sajdis jo vetëm me çaj e kafe, lëngje e pemë të ndryshme ,por edhe duke shtruar dreka e darka të shumta, gjatë organizimit të ndejave, të cilët do të mbesin përherë në kujtim të përhershëm tek çdo njeri i cili ka rastit të jetë mysafir në shtëpinë e tij.
Këtë mikpritje dhe gostitje e ka vazhduar edhe në Kullën e Jetimit në Prevallë, gjer në ditën e fundit të jetës, duke vazhduar të mirëpres familjar, mysafirë, shokët, imamët, besimtar dhe klientët e shumtë në restorantin e Kullës së Jetimit në Prevallë.
Gjatë jetës së tij, çaste më të rënda i ka përjetuar në vitet 2014-2015 kur për arsye politike, të klimës së krijuar nga presioni i shumtë vendor e ndërkombëtar, rrodhi iniciativa për pezullimin e Shoqatës Humanitare “Kalliri i Mirësisë” dhe rrënimin e Kullës së Jetimit në Prevallë. Në një bashkëbisedim që kam pas, pas një kohe të kaluar pas kësaj, ka hapur zemrën dhe me plot indinjatë më ka treguar: “në çastin më kritik, të presionit dhe iniciativës për pezullimin e Shoqatës Humanitare Kalliri i Mirësisë me seli ë Prizren, dhe rrënimin e Kullës së Jetimit në Prevallë, kur të gjithë ata që më kanë njohur më kanë braktisur, ka qenë vetëm Av. Et’hem Rogova i cili në mënyrë profesionale në procedurë administrative dhe gjyqësore e ka mbrojte të drejtën ligjore të funksionimit dhe mos pezullimit të Shoqatës” Kalliri i Mirësisë”, si dhe mos rrënimit të Kullës së Jetimit, pasi i ka poseduar të gjitha lejet valide urbanistike për ndërtim, së bashku me ty që ke senzibilizuar opinionin e gjerë publik me shkrime publicistike në portale dhe rrjete sociale, dhe punime profesionale e seminarike për drejtën ligjore të funksionimit të Shoqatës ”Kalliri i Mirësisë” konform dispozitave ligjore në fuqi, si dhe Kullës së Jetimit në Prevallë ndërtuar konform lejeve valide urbanistike në fuqi”.
Në fund të këtij shkrimi post mortum (pas vdekjes) për bamirësin dhe humanistin haxhi Kemal Jonuzi, e lus Allahun Fuqiplotë, ta mëshirojë me mëshirën e tij të pakufishme dhe ta shpërbleje me xhenet firdevs, ndërsa bashkëshortes Fatimes, djalit Halidit, vajzave Aminës, Aidës dhe Sumejës, vëllait Skenderit, motrave Myrvetes dhe Hidajetes, familjarëve, miqve, shokëve, imamëve dhe besimtarëve që e kanë njohur, Allahu ju dhashë sabër e gajret!
/profili i tij në Meta