Banka e Shqipërisë rriti normën bazë, por inflacioni zbret në 3.8%, niveli më i ulët nga shkurti 2022

Rritja e çmimeve është ngadalësuar në muajin tetor, teksa inflacioni, që mat ndryshimin e çmimit të mallrave për një periudhë kohe të caktuar zbriti në 3.8%, nga 4.1% që ishte në shtator.

Ky është niveli më i ulët që nga shkurti 2022, përpara se të fillonte rritja e fortë e ndikuar nga pasojat e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në tregjet globale, që kulmoi në tetor 2022, në nivelin e 8.3%, më i larti që nga viti 1998, kur vendi ndjeu pasojat e piramidave.

Në gusht dhe shtator, tendenca e inflacionit ishte shfaqur në rritje, e ndikuar kryesisht nga faktorë të brendshëm, duke nxitur Bankën e Shqipërisë që të rriste normën bazë me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar në 3.25%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pohoi se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve ndaj inflacionit është zhvendosur për lart.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e Këshilloi Bankën që të rrisë më tej normën bazë. “Me rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste, në kushtet e shtrëngimit të tregut të punës dhe me normat reale të interesit ende negative, ka hapësira për rritje të mëtejshme të normës bazë.

 

 

Një rritje graduale e normës bazë drejt një pozicioni neutral, vlerësuar në rreth 4.5 për qind, do të ndihmonte kthimin e inflacionit në objektivin e synuar në fillim të 2025” tha FMN në deklaratën zyrtare pas inspektimeve gati dy javore në institucionet fiskale dhe monetare të vendit”.

Por tashmë inflacioni po vjen në tendencë rënëse, duke ulur presionin për një rritje të mëtejshme të normës bazë, që do të rriste koston e parasë, duke shtrenjtuar kredinë, çka do të frenonte investimet e bizneseve.

Ushqimet vijojnë të udhëheqin rritjen e çmimeve

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,64 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,39 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,32 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,21 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,18 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,17 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,09 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,54 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Tetor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 7,6%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,4%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5,2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,6%, “Veshje dhe këpucë” me 3,2%, “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,9% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,6%, “Shëndeti” dhe “Komunikimi” me 1,1% secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 8,3%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 23,4%, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 8,4%, “mish” me 7,9%, “fruta” me 6,1%, “peshk” me 4,5%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,0%, “bukë dhe drithëra” me 1,2%, etj./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne