Basha prezanton programin qeverisës: Në vitin e parë, 150 milionë euro subvencionim për bujqësinë; rritje të pensioneve

Me banorët e Maliqit, kryetari i PD Lulzim Basha bashkëbisedoi për alternativën e opozitës për ringritjen e bujqësisë, e cila mbështetet në 3 shtylla: subvencionet direkte, investimet në infrastrukturë dhe mbrojtja prodhimit vendas me tarifat doganore.

“Në rastin e bujqësisë nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Politikat për të mbështetur bujqësinë funksionojnë njësoj, si në Europë, edhe të fqinjët tanë, Maqedonia dhe Kosova. Buxheti ynë për subvencionet vitin e parë do të jetë 150 milion euro dhe do të vazhdojë duke u rritur sipas projeksionit tonë, siç do të vazhdojë të rritet edhe prodhimi i bujqësisë shqiptare”, tha Basha.

Duke bërë një krahasim me fondet që parashikon buxheti 2019 vetëm për një grusht koncesionesh korruptive në pronësi të qeverisë apo klientë të saj, Basha tregoi edhe burimin e financimit për ringritjen e bujqësisë.

“100 milion euro do të harxhojë vitin e ardhshëm, po e lamë, vetëm për 10 oligarkë Edi Rama. Vetëm për tre inceneratorët, që janë makina të prodhimit të parave, Arben Ahmetaj do të marrë 22 milion euro për veten e tij, t’i fusë në xhepat e tij. Ne do t’i japim fund koncensioneve korruptive që na e kanë çuar kilometrin e rrugëve në 25 milionë euro”, theksoi kreu i opozitës në takimin me banorët e Maliqit.

Pjesë e alternativës qeverisëse të opozitës është edhe rritja e pensioneve, paratë për te cilat do të gjenden tek dhënia fund e abuzimit me tenderat që, vetëm vitin e kaluar llogariten në rreth 500 milionë euro.

“Ne do të nisim që prej ditës tonë të parë në pushtet, rritjen e pensioneve. Rritja e parë do të jetë në nivelin e 200 mijë lekëve dhe deri në fund të mandatit, pensioni minimal në Shqipëri do të jetë 250 mijë lek të vjetra për pensionist”, u shpreh Basha.

Kryetari i opozitës i ftoi banorët e Maliqit t’i bashkohen opozitës për të bërë të mundur që vendin të mos e qeverisë pakica, por shumica reale e këtij vendi që përkrah projektet konkrete të opozitës për zhvillimin e vendit.

“Asgjë prej këtyre nuk mund të vijë pa një rotacion politik, pa një transformim total, që është po aq i nevojshëm sot sa para 30 vitesh. Para 30 vitesh kishim 13 anëtarë të Byrosë Politike që nuk mendonin për njerëzit, por mendonin vetëm për veten e tyre. Edhe sot kemi 5 banditë, 5 oligarkë dhe 5 politikanë që mendojnë vetëm për veten e tyre. Para 30 vitesh ata e kishin bërë Shqipërinë kopsht zoologjik të stalinizmit. Edhe sot këta 15 Banditë e oligarkë e konsiderojnë gjithë Shqipërinë çifligun e tyre”, u shpreh Basha.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne