Skandal, Bashkia Tiranë po shëmton xhaminë e Et’hem beut

Nuk ka shumë kohë nga inaugurimi i sheshit Skenderbej nga Bashkia Tiranë mes polemikave dhe debateve të shumta për strukturën dhe pamjen e tij. Ky shesh përbën dhe pikën zero, apo qendrën e Tiranës, ndërtimi i së cilës filloi në kohën e Mbretit Zog me arkitektë italianë, të cilët projektuan dhe ndërtuan ndërtesat qeveritare të ministrive, duke marrë si pikë orientimi xhaminë shekullore të Et’hem beut me një shesh në formë koni, që nxirrte në pah ndërtesat e arkitekturës italiane dhe asaj islame të Tiranës. Për realizimin e këtij projekti u prish xhamia e Karapicit, në vend të të cilit Komuniteti Mysliman u dëmshpërblye me ndërtesën që gëzon sot përballë Kuvendit të Shqipërisë. Më pas sheshi pësoi disa ndryshime, ku fillimisht u vendos busti i Stalinit, pastaj në vend të tij ai i Skenderbeut e diku më tutje ai i Enver Hoxhës, i cili u rrëzua si sot më 20 shkurt të vitit 1991. Më pas sheshi pësoi ndryshime, ndërtime e prishje midis debateve PD-PS, derisa erdhi në gjendjen e sotme.

Gjatë regjimit komunist gjithashtu u prishën rreth 40 xhami vetëm në qytetin e Tiranës, ndërsa xhamia e Et’hem beut u shndërrua në muze, duke u rihapur me 18 janar 1991. Mirëpo megjithëse i shpëtoi regjimit komunist, ky objekt kulti shqiptar i ndërtuar nga një personalitet si Et’hem beu, duket se nuk po i reziston dot indiferencës së shtetit, por nganjëherë edhe dashakeqësisë, apo injorancës arkitekturore dhe kulturore në Ministrinë e Kulturës, IMK dhe Bashkisë së Tiranës.

Megjithëse para pak ditësh Ministria e Kulturës zhvilloi një show, duke përdorur ambientet e KMSH-së, për të paraqitur projektet e restaurimit të disa xhamive dhe ndër ta edhe Et’hem beu nga një organizatë qeveritare turke TIKA, e cila njihet për restaurime të dobëta dhe pa cilësi, mësohet se nuk është paraqitur asnjë buxhet i detajuar dhe publikuar askund nga ata, duke lënë të kuptohet se do kemi të bëjmë me abuzimin e radhës nga palët kontraktuese shtet-TIKA. Ndërkohë mësohet se prej disa dekadash nuk ka asnjë restaurim sado minimal, duke bërë që xhamia të ketë një degradim total, ku shihet qartë edhe me sy të lirë bimësia e fiqtë, që kanë mbirë në çati. Ajo çfarë e shëmtoi edhe më shumë rrethimin e xhamisë ishte edhe prerja e selvisë dhe ullirit, pranë saj, duke mbjellë ferra dhe hithra, simbole të shëmtisë së bashkisë Tiranë.

Por sikur të mos mjaftonte kjo Bashkia Tiranë fare pak metra larg, po i shton sheshit shëmtinë e radhës, ku bie në sy betoni, e cila jo vetëm bën kontrastin, por edhe mbulon pamjen e xhamisë nga krahu i majtë i saj. Për këtë objekt akoma nuk dihet asgjë rreth funksionit të tij, por mendohet se do shërbejë si një strehë e stacionit të autobusëve me një pamje thellësisht të shëmtuar. Një objekt i ngjashëm është ndërtuar mbi shesh para bankës si një dalje nga parkingu nën të për në shesh.

Ende nuk dihet reagimi i Ministrisë së Kulturës, IMK apo KMSH-së lidhur me këtë ndërtim, i cili e mbulon dhe shëmton siluetën e xhamisë shekullore dhe objektit më të vjetër në Tiranën si qytet, ndërtuar nga tiranasi Et’hem beu, por si gjithmonë nën heshtjen e disave bashkia vazhdon të shëmtojë kryeqytetin tonë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne