BE dhe OSBE rezerva për paketën antishpifje: Paralajmërohen masa ndaj portaleve anonime

Vendimi i qeverisë shqiptare për paketën antishpifje u rrëzua nga Bashkimi Europian dhe Prezenca e OSBE. Prej disa muajsh, ndërkombëtarët kanë dalë kundër këtij vendimi, duke u shprehur të prerë se AMA nuk mund të marrë kompetencat e gjykatës dhe të gjobisë portalet për “fake news”. Bashkimi Europian vijon të ketë në vëmendje iniciativat e qeverisë për të ndryshuar legjislacionin e shërbimeve mediatike.

Dhe Komisioni Europian ndan shqetësimin për zgjerimin e gamës së kompetencave të AMA në rregullimin mediatik online. Ditën e djeshme u mblodh forumi “Për zhvillimin e medias”, tryezë kjo e thirrur nga OSBE, ku i pranishëm ishte dhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca. Ky i fundit gjatë fjalës së tij deklaroi se një vendim i tillë mund të çojë në një efekt negativ të lirisë së shprehjes. “Më lejoni t’u sjell në vëmendje iniciativat e qeverisë për të ndryshuar legjislacionin e shërbimeve mediatike.

BE ka kërkuar që këto iniciativa të jenë plotësisht në përputhje të plotë me shërbimet mediatike dhe audiovizuale të KE dhe me direktivat për tregtinë elektronike. Ne shikojmë versione të reja për të trajtuar disa nga këto shqetësime, por më lejoni të them që kjo nuk mjafton, pasi përputhshmëria e plotë e këtyre ndryshimeve me lirinë e shprehjes dhe standardeve më të larta që ekzistojnë, por edhe trajtimi i çështjeve si keqinformimi ende duhet të vazhdojnë. KE ndan shqetësimin me organizata të tjera ndërkombëtare lidhur me mungesën e sigurisë ligjore dhe me zgjerimin e gamës së kompetencës a përgjegjësive të AMA për të përfshirë rregullimin mediatik online”, u shpreh Soreca.

Kërcënimi i gazetarëve

Më tej ambasadori i BE deklaroi se kërcënimet e gazetarëve janë të papranueshme, por dhe retorika e ashpër që përdoret nga disa politikanë. “Ndaj gazetarëve në Shqipëri ka pasur kërcënime dhe kjo është e papranueshme. Të papranueshme janë edhe retorikat e politikanëve ndaj gazetarëve në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme që t’i jepet fund ndikimit të politikës në media dhe mungesës së transparencës. Kemi adresuar të gjitha shqetësimet tona, deri më tani nuk është arritur gjithçka që duam, por po përpiqemi për të ecur përpara”, tha Soreca.

Portalet anonime

Ndërsa ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt deklaroi se në vend ka portale që përdorin informacion të njëanshëm, pa standardet e duhura, ndërkohë që pronarët e tyre mbeten anonimë, duke paralajmëruar edhe masa. “Media online është zhvilluar shumë kohët e fundit në krahasim me vitet e kaluara dhe kemi vënë re një zhvillim të madh të medias online. Kemi projekte tona lidhur me median, projektet tona të fundit. Sa i përket progresit kanë qenë çështje të cilat duhet të adresohen dhe është e rëndësishme hapësira që duhet t’i jepet profesionalizmit. Kemi thirrur ekspertët për të dhënë rekomandimet për këtë çështje. Sa i takon ndikimeve të medias. Ka disa faqe në internet që përdorin informacion të ndikueshëm të anshëm dhe të pavërtetë dhe pronarët e tyre nuk dihen se kush janë dhe nuk mund të bëjmë sikur kemi harruar disa raste që gazetarët janë kërcënuar dhe ne e kemi ndjekur nga afër këtë çështje. Këto çështje janë të rëndësishëm për t’u ndjekur dhe janë shumë tërëndësishme ndryshimet në ligjin mbi median”, u shpreh Borchardt./ekskluzive

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne