BE pritet të vendos sanksione ndaj Bjellorusisë

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) sot pasdite do të zhvillojnë një takim urgjent për krizën në Bjellorusi.

Krerët e vendeve dhe qeverive evropiane pritet të japin ‘dritë jeshile’ për sanksione ndaj individëve të përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut dhe në falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në fillim të këtij muaji në Bjellorusi.

“Pa asnjë dyshim, sanksionet do të forcohen këtë pasdite”, tha komisioneri i BE-së për tregtinë e brendshme, Thierry Breton, në një intervistë mëngjesin e sotëm për median franceze Radio 1.

Masat kundër Bjellorusisë që shënjestrojnë katër individë, përfshirë embargon e armëve, ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimit, kanë qenë në fuqi që nga viti 2004.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, me gjasë do të paraqesë një listë të re të sanksioneve bazuar në pëlqimin e dhënë të premten nga kryediplomatët e BE-së.

Masat pritet të shënjestrojnë individë, por në të ardhmen blloku i BE-së mund të marrë në konsideratë vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj kompanive shtetërore të Bjellorusisë.

BE-ja u ka bërë thirrje autoriteteve bjelloruse që të ndalojnë dhunën kundër protestave paqësore. Borrell po ashtu ka theksuar se BE-ja refuzoi rezultatet e zgjedhjeve në Bjellorusi.

Të martën, kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një bisedë me presidentin rus, Vladimir Putin tha se presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, duhet të fillojë negociatat me opozitën bjelloruse.

Protestat masive kundër rezultateve të zgjedhjeve kanë filluar që nga 9 gushti në të gjithë Bjellorusinë.

Udhëheqësja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, të hënën tha se ajo është “e gatshme të udhëheq kombin” përmes një periudhe kalimtare, në mënyrë që t’i japë fund trazirave dhe të organizojë “zgjedhje të drejta presidenciale në një afat kohor sa më të shkurt”.

Sipas rezultateve zyrtare të vendit, Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vite, fitoi zgjedhjet e fundit me 80,1 për qind të votave. Rivalja e tij kryesore, Tikhanovskaya grumbulloi vetëm 10,12 për qind të votave./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne