Presidenti Bajram Begaj viziton Lubjanen.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj deklaroi sot se Shqipëria dhe Sllovenia duhet të vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë të lidhur nga partneriteti në NATO dhe interesat e përbashkët strategjikë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Begaj u prit sot në një vizitë zyrtare nga Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar. Pas ceremonisë zyrtare të organizuar me këtë rast dhe takimeve kokë më kokë e të zgjeruara midis dy delegacioneve, Begaj dhe Musar, mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Në deklaratën e tij, Begaj e konsideroi Slloveninë një partnere të rëndësishme rajonale dhe evropiane, ndaj i shprehu mirënjohje të veçantë Presidentes Pirc Musar për mbështetjen thelbësore dhe të vazhdueshme që ky vend i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në veçanti, si edhe procesit të zgjerimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

Kreu i Shtetit ndau mendimin me Presidenten Pirc Musar, se për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike, por falë edhe kontributit të Sllovenisë e grupit të vendeve mike të Ballkanit Perëndimor, sot kemi një qasje të re të Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit me vendet e rajonit.

“Procesi i integrimit nuk konsiderohet më thjesht si një çështje teknike, por edhe si një zgjedhje e vizion strategjik,” – tha Presidenti Begaj.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik dhe nevojës së nxitjes më të madhe të tij.

“Vërejmë me kënaqësi një prirje në rritje të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, ku pa dyshim turizmi zë një vend shumë të rëndësishëm. E sigurova Presidenten Pirc Musar që Shqipëria është e interesuar për më shumë investime sllovene në Shqipëri”, tha Begaj.

Sipas Kreut të Shtetit, rivendosja e linjës ajrore direkte Lubjanë-Tiranë mund t’i japë një shtysë më të madhe bashkëpunimit në fushën e turizmit, por edhe ndërveprimit të biznesve.

Presidenti Begaj e falënderoi gjithashtu presidenten Pirc Musar për kushtet e krijuara për një integrim më të mirë të diasporës shqiptare në Slloveni, falë kuadrit ligjor të miratuar dhe mundësive për të ruajtur identitetin kombëtar, gjuhën e kulturën amtare.

Pyetjes si e komenton gjendjen aktuale në rajon, Begaj iu përgjigj se “Shqipëria është promovuese e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit afatgjatë në rajon. Stabiliteti nuk jepet falas, duhet punuar për ta pasur dhe për fatin e keq situata në veriun e Kosovës, situata e kohëve të fundit na tregoi që stabiliteti është shumë i rëndësishëm. Si vende fqinje na takon që të ndërtojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe në vend të mureve të ndërtojmë ura bashkëpunimi”.

Bashkëpunimi i mëtejshëm në fushën e arsimit dhe kulturës, lufta në Ukrainë, ose mbështetja e dhënë nga Sllovenia për të kapërcyer pasojat e tërmetit të 2019, ishin gjithashtu në vëmendjen e dy presidentëve./TRTBALKAN

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne