Bëhen përgatitjet për varrimin kolektiv më 11 korrik në Potoçari të Srebrenicës

Srebrenicë

Në varrezat e Qendrës Përkujtimore Potoçari në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) bëhen përgatitjet për varrosjen e 30 viktimave të sapoidentifikuara të gjenocidit në Srebrenicë, në funeralin kolektiv më 11 korrik të këtij viti, raporton Anadolu.

Punëtorët po mbarojnë hapjen e varreve dhe siç thanë kanë mbetur edhe katër të tjera. Po ashtu është duke u zhvilluar edhe pastrimi dhe rregullimi i varrezave të vizituara nga familjet që kanë varrosur të dashurit e tyre në vitet e kaluara.

Këtë vit, eshtrat e 30 viktimave të gjenocidit të kryer në korrik 1995 kundër banorëve të “zonës së mbrojtur të OKB-së” në Srebrenicë do të varrosen në varrezat e Qendrës Përkujtimore në Potoçari.

Mes viktimave që do të varrosen këtë vit do të jenë edhe katër të mitur. Viktima më e re që do të varroset këtë vit është Elvir Salçinoviq, i cili ishte 15 vjeç kur u vra. Ai u vra në zonën e Baljkovicës ndërsa eshtrat e tij u zhvarrosën nga varri masiv i Lipjes afër Zvornikut në vitin 2001.

Ndonëse ai u identifikua në vitin 2011, familja e tij nuk gjeti forcë për të varrosur Elvirin deri në këtë vit. Ai do të gjejë paqen e fundit me babain e tij Turabija dhe vëllain Almirin, të cilët u varrosën në Potoçari, përkatësisht në vitin 2003 dhe 2011.

Do të varrosen edhe dy 16-vjeçarët, Mustafa Mekaniq dhe Esed Klempiq. Eshtrat e tyre janë zhvarrosur gjatë vitit 2001 në lokacione të ndryshme, në zonën e Gllogovës dhe Kamenicës. Ata janë identifikuar edhe në vitet e mëparshme – 2008 dhe 2013, por tani është marrë pëlqimi për varrimin e tyre. Një tjetër i mitur do të gjejë paqen përfundimtare dhe ai është Semir Gjoziq. Ai ishte 17 vjeç kur u vra dhe eshtrat e tij u zhvarrosën në vitin 2002.

Nezir Muminoviq është viktima më e vjetër e gjenocidit në Srebrenicë që do të varroset këtë vit. Ai ishte 65 vjeç në kohën kur u vra dhe eshtrat e tij u zhvarrosën në zonën e Kamenicës në vitin 2007.

Babë e bir, Vejsil dhe Hasib Mujanoviq do të varrosen këtë vit.

Çdo vit, pas funeralit kolektiv të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë në 1995, rizhvarrosjet e viktimave të varrosura më parë bëhen në Potoçari për të shtuar eshtrat që u gjetën më vonë.

Këtë vit do të hapen 71 varre. Në ambientet e projektit të identifikimit të Podrinjës ndodhen rreth 400 mbetje mortore që presin procesin e rizhvarrimit dhe rishoqërimit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne