Bektashistani si basti i fundit i Edi Ramës

Nga Erjus Mezni

E kam thënë me kohë që Republika e Shqipërisë është katandisur në psikiatrinë private të Edi Ramës. Mirëpo kur vjen puna tek dalldia e fundit e kryeministrit, lexuesi dhe çdo qytetar shqiptar më mirë t’i druhet kurës kundrejt kësaj dalldie, sesa vetë simptomës apo përmbajtjes. Se në përmbajtje propozimi i Edi Ramës nuk është gjë tjetër përveçse një halucinacion i shpifur, i shkaktuar sa nga injoranca e tepërt, ashtu edhe nga ndonjë efekt i mundshëm drogash apo ilaçesh.

Nëse ky propozim ishte diçka më tepër, atëherë jam i sigurt se do të gjente disa përkrahës brenda javës. Mirëpo fakti që ky propozim gjeti vetëm një mbështetës në Shqipëri (një njeri që shumica e shqiptarëve as e njihnim si emër përpara 21 shtatorit) flet shumë për këtë dalldi të radhës. I vetmi përkrahës, pra, i propozimit në Shqipëri na doli Baba Mondi, i cili (duke përdhosur çdo dok qindravjeçar të Kryegjyshatës së Shqipërisë)edhe u kënaq që do të bëhet mbret puthador i të sëmurit Rama, por edhe u premtoi të gjithëve që në Bektashistan ata do mund të konsumojnë raki. Ja pra, se për çfarë grotesku bëhet fjalë: për një kryeministër i cili kujton se mund të kurorëzojë mbretër vetë dhe për një pseudo-mbret i cili kërkon të na qerasë me raki. Lind, tani,pyetja me vend se cili nga këta të dy është më injorant dhe i çmendur. Kryeministri që do të na dhurojë mbretër, apo mbreti që do na japë raki? Siç e la të kuptohet politikani Veton Surroi edhe një chatbot (si Chatgpt) i nxjerr blof kryeministrin Rama dhe mbretin Baba Mondi, sepse sipas Chatgpt shtetet nuk bëhen me pak përkrahës (vetëm me Baba Mondin, fjala bie, dhe vetëm me skllevërit e Ramës në Kuvendin e Shqipërisë).

Sakaq, historiani Olsi Jazexhi ofroi një qëndrim po aq të kthjellët, sipas të cilit Bektashistanin në mes të Tiranës nuk do ta dëshironte as vetë SHBA. Vetëm dy qëndrimet që solla do të mjaftonin, ma do mendja, për t’i vënë kapakun edhe kësaj historie, mirëpo intervista e Jazexhiut për kanalin MCN TV, përveçse tepër informuese dhe bindëse, nxori në pah edhe një fenomen që në Shqipëri ose heshtet ose ndëshkohet, fenomenin e Islamit politik. Me apo pa qëllim, Olsi Jazexhi dhe gazetarja profesioniste u dukën sikur i dhanë një drejtim pyetjeve që lidhen me Bektashistanin. Ata iu përqendruan reagimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në veçanti, por edhe reagimit të komuniteteve të tjera në përgjithësi. E ndërsa gazetarja aludoi që KMSH nuk nxori reagime zyrtare, Olsi Jazexhi u përgjigj se komuniteti mysliman ishte i pari që protestoi, mirëpo krerët e këtij komuniteti nuk flasin dot troç ngaqë i druhen regjimit policor të Edi Ramës. Siç e thashë, biseda mes zotit Jazexhi dhe gazetares të MCN TV nga njëra anë ma përforcoi bindjen të cilën e ndaj bashkë me një chatbot (se nuk ndërtohen mbretëri me dy njerëz), por nga ana tjetër më bëri të vras mendjen se si do t’i vejë halli një vendi që i është përkulur të sëmurit, nëse ky i fundit nuk heq dorë nga dalldia e vet.

Thënë ndryshe, ndonëse unë do ta bëj gjumin i qetë dhe pa frikën se një kryeministër do të ma copëtojë atdheun sipas halucinacioneve të tij, pyetja që ka nisur të më shqetësojë është se ç’mund të ndodhë nëse skllevërit-deputetë të mazhorancës i druhen aq shumë satrapit të tyre, saqë në vend se t’ia thonë troç që ai nuk e kurorëzon dot Baba Mondin mbret, zgjedhin një rrugë tjetër, duke ia fshehur të vërtetën dhe duke i lavdëruar çdo reaksion mendor të tijin. Kjo pra me pak fjalë është frika ime më e madhe, frika se cilina e paska këtë fuqi, guxim dhe moral, që satrapit tonë t’i thotë MJAFT MË! Nëse Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, ushtria, apo opozita kishin të tillë guxim a pushtet, Edi Rama dhe vasalët që i kanë shkuar nga mbrapa në Nju Jork, sot më mirë do të bënin të blinin nga një shtëpi atje dhe të mos ktheheshin fare në Shqipëri. Vetëm deklaratat e çmendura të Edi Ramës do t’i jepnin të drejtën presidentit Begaj që të mobilizonte ushtrinë dhe ta mbronin Rinasin mirë nga kthimi i njeriut i cili dëshiron të copëtojë vendin, kurse opozita do mundej të dërgonte gjithë qytetarët në Rinas dhe të bënin ysht me të parë avionin qeveritar.

Mirëpo, siç e dimë të gjithë, Shqipëria tani nuk është republikë me kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por është një psikiatri me disa doktorë, infermierë, roja, punëtorë, mijëra skllevër dhe vetëm me një satrap, të sëmurin Edi Rama. Presidenti i Republikës së Shqipërisë duket shumë i lumtur me karrigen që iu bë dhuratë nga Partia Socialiste, kurse Partia Demokratike në ditën kur kryeministri tradhtar u premtoi anëtarëve të OKB që në Tiranë do të ketë një satrap (Edvinin) dhe një mbret (Edmondin), në vend se të dërgonte gjithë demokratët për të rrethuar Rinasin, vajti dhe i mblodhi edhe një herë tjetër poshtë ballkonit të Sali Berishës dhe përpara zyrave të SPAK. Në këtë situatë, pra, ku ka rënë psikiatria që mban emrin Shqipëri, nëse satrapit tonë nuk i lind ndonjë halucinacion tjetër që t’ia ndërrojë qëndrimin rreth Bektashistanit, atëherë gjasa është e madhe që skllevërit e tij në Kuvendin e Shqipërisë t’i druhen aq shumë, saqë t’ia votojnë edhe këtë dalldi (në një kohë kur edhe një chatbot e thotë që nuk ka gjasa të bëhet). Pra do të gjendemi në një rrugë pa dalje, ku në njërën anë vasalët i bëjnë qejfet satrapit të sëmurë, kurse në anën tjetër dikush duhet të bëjë opozitën dhe arsyen në një vend ku opozita dhe arsyeja kanë vdekur.

Të gjithë të tjerët, përveç njërit, e dimë tashmë që Baba Mondi nuk do të bëhet kurrë mbret, por njëlloj si Donna Matilda dhe Frida në veprën e Luixhi Pirandelos Enriku i Katërt, problemi më i madh në psikiatrinë që mban emrin Shqipëri është se cili do t’ia thotë të sëmurit që është i sëmurë dhe jo mbret. Përderisa opozita, presidenti dhe Gjykata Kushtetuese, kanë hequr dorë nga kjo detyrë kombëtare, frika ime është se në Shqipëri ka mbetur një institucion i vetëm që do mund ta kurojë Edi Ramën nga halucinacioni i Bektashistanit. Ky institucion kam frikën se është Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Ndonëse satrapi ynë dhe Partia Socialiste e Shqipërisë kanë vite që patrullojnë, përgjojnë, kufizojnë dhe penalizojnë komunitetin mysliman, lufta e tyre ndaj KMSH është e destinuar të dështojë dhe të mos ketë të njëjtin fat si lufta ndaj PD, për arsyen se në KMSH nuk do të gjesh idhujtarë si në PKSH, PPSH, PS, PD, LSI, etj. KMSH, po ashtu, duket sikur ka triumfuar aty ku kanë dështuar partitë dhe komunitetet e Shqipërisë. Në kundërshtim me bektashinjtë dhe ortodoksët që tkurren vazhdimisht, përqindja e myslimanëve në Shqipëri vetëm rritet (këtë e tha Censusi i Popullsisë 2024, jo unë). Në vend se të ndërtohet mbi idhujtarinë e Enverit, Saliut, Edvinit, apo Ilirit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nuk ka nevojë fare për emra. Dje kishin Sabri Koçin, sot Bujar Spahiun, nesër një tjetër dhe kështu me radhë. Emrat nuk kanë asnjë rëndësi në KMSH, përderisa çdo njeri që është pjesë e atij komuniteti është betuar që ta luftojë me vdekje idhujtarinë.

Komuniteti mysliman, po ashtu, ka mbledhur nga rrugët dhjetëra mijëra të rinj të cilët në shkollat, televizionet, dhe teatrot e Edi Ramës nuk gjejnë asnjë motiv për t’u endur në jetë. Sikur të mos mjaftonin këto, KMSH ka gjetur edhe aleatë të fortë në shtetet e Gjirit Persik dhe Turqi. Se ndonëse në Shqipëri flitet vazhdimisht për bujarinë dhe përkrahjen amerikane, një xhiro nëpër fshatrat dhe qytetet e vendit të krijon përshtypjen se vendet myslimane renditen të dytat (mbas Bashkimit Evropian) për ndihma materiale që u janë dhënë shqiptarëve. Dhe nëse satrapit tonë i është mbushur mendja që SHBA dhe Izraeli janë shumë më të forta se bota myslimane, dikush duhet t’ia vërë në dukje se SHBA po ecën e sigurt drejt divorcit me Evropën, kurse në Izrael numri i myslimanëve ka arritur (dhe është çështje kohe derisa ta kalojë) numrin e judejve. Që të mos zgjatem më shumë, jo vetëm që krijimi i Bektashistanit do të mbetet një halucinacion i Edi Ramës, por çdo tentativë e skllevërve të tij për ta bërë Bektashistanin realitet, do të na çonte në drejtimin e kundërt, në përforcimin e fesë islame si fuqi politike në Shqipëri.

Në një kohë kur opozita shqiptare është klinikisht e vdekur dhe Turqia qeveriset nga një parti islamike e cila nuk është aspak e kënaqur me zhvillimet në rajon, halucinacioni i Bektashistanit do të shërbente si një shtysë e mirë që myslimanët e Shqipërisë të mos rrinë aspak duarlidhur, por të kalojnë në aktivizëm politik, me financim dhe modele të marra nga myslimanët e Turqisë. Kështu, pak a shumë, e shikoj fundin e këtij basti të Edi Ramës (nëse skllevërit e tij socialistë vazhdojnë t’ia plotësojnë çdo tekë në Kuvendin e Shqipërisë). Jo vetëm që nuk do të bëhet Baba Mondi mbret i paqes, por do të shikojmë përforcimin e Islamit radikal dhe politik në një kontinent dhe kohë ku të gjitha fetë po tkurren, përveç njërës. Edi Rama më në fund do ta gjejë veten me një opozitë sa të vërtetë, aq edhe jashtë kontrollit të tij. Kjo opozitë nuk do të vijë as nga PD, as nga LSI dhe as nga Vetëvendosje. Kjo opozitë e vërtetë kam frikën se do të vijë nga Islami politik./sot

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne