Ndërsa shumë njerëz në rajonin flamand të Belgjikës po përpiqen të prishin lidhjet e tyre me kishën pas dokumentarit që zbuloi se klerikët kanë abuzuar seksualisht me fëmijët për vite me radhë, politikanët gjithashtu duan që skandali të hetohet dhe të diskutohet financimi i kishave.
VRT, televizioni shtetëror i Belgjikës që transmeton në flamanisht, publikoi në dokumentarin e tij 4-pjesësh rrëfimet e fëmijëve dhe të afërmve të tyre, të cilët prej vitesh janë nënshtruar abuzimit seksual nga klerikët në Kishën Katolike në rajonin flamand.
Sipas lajmeve në mediat kombëtare thuhet se dokumentari krijoi një “efekt shoku” në vend, shumë njerëz u rreshtuan për të fshirë emrat e tyre nga të dhënat e pagëzimit për të shkëputur lidhjet e tyre me Kishën.
Po ashtu u bënë thirrje nga partitë politike për të krijuar një komision në Parlamentin Federal për të hetuar skandalin në detaje, për të zbuluar se si u mbuluan provat gjatë gjithë këtyre viteve dhe për të diskutuar pse dhe si u financua kisha në këtë rast.
Kryeministri i bën thirrje kishës që “të pranojë sinqerisht krimin”
Çështja u fut dje në rendin e ditës të parlamentit, në një seancë ku mori pjesë edhe kryeministri Alexander de Croo, i cili i bëri thirrje kishës që “të pranojë sinqerisht fajin”.
Duke theksuar se mbështet ngritjen e një komiteti hetimor, de Croo tha se duhet të hetohet edhe çështja e financimit të kishës me taksa.
Në të njëjtën ditë, de Croo u takua me ministrin e Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, peshkopin e dioqezës Antwerp, Johan Bonny, që përfaqësonte kishën në rajonin flamand dhe disa nga viktimat e përmendura në dokumentar.
Kryeministri belg tha se Bonny i premtoi atij bashkëpunim të plotë me gjyqësorin dhe policinë.
“Në shtetin e së drejtës, asnjë institucion nuk mund të jetë mbi ligjin”, tha de Croo.
Ai u shpreh se kisha duhet të përmbushë me efektivitet kërkesat e atyre që duan të hiqen nga tabelat e pagëzimit, gjë që ende nuk është bërë.
Në deklaratat e peshkopit Bonny të pasqyruara në media “Më vjen keq që gjeneratat e mëparshme nuk ishin në gjendje të merrnin përgjegjësitë e tyre”.
Dokumentari, episodi i fundit i të cilit u publikua më 26 shtator, zbulon abuzimin seksual të kryer ndaj fëmijëve në shkolla me konvikte, lëvizje rinore, komunitete dhe kishë, me rrëfimet e viktimave dhe të afërmve të tyre.