Shqiperia

Ben Blushi: Përse tërhiqem nga drejtimi i LIBRA

Ben Blushi, kryetari i Partisë LIBRA, ka njoftuar sot dorëheqjen nga drejtimi i kësaj force politike. Me anë të një deklarate në Facebook, Blushi jep arsyet e largimit të tij nga posti drejtues.

Nga Ben Blushi

Kur ftova shumë njerëz ti bashkoheshin idesë së LIBRA-s kam premtuar se Libra nuk do të ishte kurrë partia ime.

Ka ardhur koha që këtë premtim ta mbaj duke u tërhequr nga drejtimi i Libras, partisë që krijova me shpresën se Shqipëria do fitonte një instrument lirie që nuk e kishte njohur.

Sot më vjen mirë të kujtoj, se si dhe sa shpejt u kthye Libra në një mjet të jashtëzakonshëm njerëzish të zakonshëm.

Ditën e pare isha një, kur e vendosëm ishim 10, kur e themeluam ishim 100, kur e shpallëm 1500, kur e regjistruam si parti 3000, kur votuam së brendshmi 4000, kur shkuam në zgjedhje 8 mijë dhe kur dolëm nga zgjedhjet 20 mijë. E gjitha kjo ndodhi vetëm në shtatë muaj nga Nëntori 2016 deri në Qershor 2017.

Shpejtësia ishte aq e madhe saqë rruga herë pas herë nuk dukej, ç’ka i bëri disa të ndalojnë dhe disa të shkojnë deri në fund të hutuar dhe të lodhur.

Si në çdo aventurë edhe ne paguam çmimin e njohur të së panjohurës.

Megjithë pasionin njerëzor që investoi, Libra nuk arriti dot të bindte shumë shqiptarë të ndaheshin nga dyqani, nga dhuna nga shëmtia, ligësia dhe kotësia e partive të vjetra.

Në një garë të pandershme zgjedhore pasi u masakrua, dhe u grabit në mënyrë të organizuar Libra u rendit partia e pestë në Shqipëri, por padyshim e para, si partia më e varfër, më e drejtë dhe më e denjë.

Libra ishte në opozitë me të gjitha partitë dhe në zgjedhje ishte opozita e vetme e Qeverisë dhe e Opozitës.

Libra është partia e vetme në Shqipëri, që nuk ka bërë asnjë dëm, nuk ka bërë asnjë krim, nuk ka futur asnjeri në punë, nuk ka hequr askënd nga puna dhe nuk i ka marre kujt asnjë cent.

Mijëra shqiptarë që e ngritën dhe e votuan duhet të jenë sot krenarë se krijuan diçka që, nëse nuk u dha dot gjë, të paktën nuk u mori asnjë gjë.

Libra ishte dhe mbeti e lirë nga çdo borxh.

Mua personalisht Libra më ndihmoi ti njihja më mirë shqiptarët dhe pa dyshim dhe veten time.

Nuk kam sot asnjë droje të them se Libra më provoi diçka për të cilën dyshoja. Shqiptarët nuk e duan opozitën. Ata i besojnë më shumë të djeshmes së të nesërmes. E vjetra i qetëson, e reja i shqetëson. Atë që ishte e çmojnë, atë që vjen e nënçmojnë. Unë e kuptoj këtë zakon, pavarësisht se nuk e mirëkuptoj.

Shqiptarët duan të jenë gjithnjë me të fortët dhe jo me të drejtët, duke menduar se ç’ka është e fortë është edhe e drejtë dhe ç’ka është e drejtë është gjithnjë e dobët.

Zgjedhjet e fundit ishin një zhgënjim për mua kur pashë se si shumë qytetë votuan banditët dhe grabitësit duke u krenuar me zgjedhjen e tyre.

Nuk më ka habitur kurrë aftësia e vendit tonë për të prodhuar njerëz të ligj, por nevoja për ti mbrojtur ata me vota më shqetëson.

E keqja që mbrohet nga populli me vota kthehet në mënyrë jetese dhe bëhet edhe më e keqe duke u kthyer në normë.

Prandaj kam vendosur ta heq përkohësisht politikën nga artet e mia. Politika, siç njihet dhe ushtrohet sot në Shqipëri, nuk më jep më shije dhe as motiv dhe unë nuk bëj gjëra të cilat nuk i besoj.

E dua shumë Libra për ta dëmtuar me këtë mungesë besimi, prandaj kam vendosur të tërhiqem nga drejtimi i saj.

Duke falenderuar të gjithë ata miq brenda dhe jashtë Libra që më mbeshtetën, jam i bindur se ka burra dhe gra, të cilët me pasion dhe me besim do të hapin rrugët që deri tani duken të mbyllura.

Faleminderit

Ben Blushi.

OPINIONE