Berisha i ofron SHBA ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, kërkon të sfidojë Ramën

Sali Berisha ka vendosur të “zbresë” vetë në fushën e betejës politike, për të treguar se ka një mënyrë më efikase për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti.

Përmes mediave afër tij, ai ka sponsorizuar një artikull nën shënimin e një pseudonimi, tipike kjo për ish kryeministrin Berisha sa herë “përvesh” mëngët të bëjë analiza vetë, ku rreket të tregojnë besnikëri ndaj SHBA dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Gjithçka vërtitet rreth muxhahidinëve iranianë të strehuar në Shqipëri dhe premtimit që, nëse opozita rikthehet në pushtet, do të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, duke njohur si të vetmen qeveri legjitime në ekzil grupin e “MEK”.

Këtë e ka thënë vetë Berisha në artikullin e shkruar prej tij nën titullin “Coup de Grace”, ose “goditja e mëshirës”, për t’i dhënë fund “vuajtjes” së Ramës në krye të qeverisjes, ku e quan thuajse të sigurtë rregullimin e marrëdhënieve me SHBA dhe Trump.

Spunton për të arritur në këtë konkluzion Berisha e ka marrë gjatë takimit 15 korrikut të këtij viti në rezidencën e muxhahidinëve iranianë, në prani të Rudy Guiliani-t, emisarit personal të Presidentit Trump, Maryem Rajavi Presidente e MEK por dhe ish kryeministrit Pandeli Majko, ish ministrit të Mbrojtjes së “Gërdecit” Fatmir Mediu dhe deputetëve të majtë e të djathtë.

Duke menduar se i kishte dhënë “goditjen e mëshirës” Edi Ramës, siç shkruan vetë Berisha në artikullin e tij i fshehur pas pseudonimit, ish kryeministri demokrat me sa duket e ka cilësuar të kryer largimin e kreut aktual të qeverisë.

Teksa ka mbajtur fjalën e rastit, fjalë e cila s’është publikuar në asnjë mediat për vetë konspirativitetin e takimit, Berisha ka artikuluar deklaratën sfiduese ndaj Ramës se “qeveria e Shqipërisë duhej të mbyllte ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, dhe të njihte MEK-un si qeverinë legjitime të Iranit”.

Një qëndrim të tillë para Guilianit, Rajavit, Majkos, Mediut dhe shumë deputetëve të tjerë të majtë dhe të djathtë, Berisha e ka cilësuar si të njejtë me qëndrimin, sipas tij, të SHBA dhe Trump që e quan MEK “qeveria në ekzil e Iranit”.

Njëherësh ka artikuluar dhe premtimin se sapo të vijë opozita në pushtet, atëherë do të mbyllë ambasadën e Iranit dhe do të njohë MEK-un si qeverinë e ligjshme iraniane, veprim drastik që do të qëndrojë në fuqi deri në momentin kur regjimi i ajtollahëve të rrëzohet.

Pra Sali Berisha i dërgoi “selam” administratës së Presidentit Trump se opozita nesër në qeveri është e gatshme të shkojë aty ku Rama nuk guxon as ta mendojë, ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin!

Berisha jo pa qëllim, përmend faktin se më 10 maj 2019 Kongresi amerikan kishte iniciuar në mënyrë bi-partizane Rezolutën nr. 374 ‘Për dënimin e terrorizmit të sponsorizuar shtetëror të Iranit, dhe shprehjen e mbështetjes mbi dëshirën e popullit të Iranit, për një Republikë të Iranit demokratike, laike dhe jo-bërthamore’, duke e quajtur detyruese dhe për Shqipërinë.

Një qëndrim i tillë i Berishës i cili nuk përmend askund Lulzim Bashën, është artikuluar me qëllimin e vetëm, goditjen e kryeministrit Edi Rama, që sipas tij nuk shkon në të njejtën linjë me politikën e SHBA për Iranin, për shkak të frikës që ka nga Erdogan.

Për hir të së vërtetës kontigjentin e parë të MEK apo “qeverinë legjitime në ekzil të Iranit” siç e quan Berisha, e ka pranuar vetë ai si kryeministër i vendit para vitit 2013, por që asnjëherë nuk ka artikuluar qëndrimin për mbylljen e ambasadës iraniane në Tiranës.

Berisha aludon se u desh anulimi i vizitës së Benjamin Natanjahut, kryeministrit izraelit dhe kërcënimi amerikan, që Rama të largonte disa diplomatë iranianë nga Shqipëria, por dhe të nxirrte Ardi Veliun për të deklaruar se ‘institucionet e sigurisë së Shqipërisë kishin parandaluar një sulm terrorist në territorin e vendit tonë të organizuar nga Qeveria e Iranit në pranverën e vitit 2018”, pra një vit e gjysmë më herët!

Berisha ka lënë për të kuptuar sepër gjithshçka është në dijeni dhe mbështetje dhe Ilir Meta, presidenti i vendit, i cili më 13 shtator ishte në kampin “Ashraf 3” bashkë me Fatmir Mediun, por dhe me Majkon, ministrin e Ramës, të cilin ish kryeministri demokrat nuk e përmend.

Të gjithë këto “pirueta” Berisha i ka bërë për të garantuar një goditje për Edi Ramën, por dhe për të krijuar idenë e rremë se opozita i ka mirë punët me SHBA, duke shprehur gatishmërinë për të bërë çfarë të kërkojë aleati ynë i madh.

Për hir të së vërtetës politikanët shqiptarë dhe Edi Rama bëjnë çfarë kërkon SHBA, por me këto “gjërat” e vogla që i “shpëtojnë” syrit të saj, sikurse deklaron dhe Petrit Vasili i LSI, Rama ua nxiu jetën shqiptarëve, duke ua vështirësuar gjithnjë e më shumë.

Ndaj dhe ky “vetëshërbim” i Berishës përmes artikujsh vetë-vlerësues dhe mbështetës për SHBA, tashmë që nuk kanë lënë gjë pa thënë kundër aleatit tonë të madh, është shumë vështirë që të “ngjisë” me Uashingtonin zyrtar që kërkon respektim të institucioneve dhe ligjshmëri./Pamfleti/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne