Besëtytnitë që shoqërojnë Ditën e Verës

Dita e Verës është një festë pagane që festohet nga të gjithë shqiptarët në 14 Mars. Ajo i ka fillesat e saj që në kohët antike dhe qyteti i parë që e ka festuar ka qenë Elbasani.

14 Marsi konsiderohet si dita e largimit të dimrit dhe ardhja e pranverës.  Zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren Zana e Çermenikës e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit.

Në ditët e sotme Dita e Verës nuk është më një festë vetëm e qytetit të Elbasanit, por festohet në të gjithë Shqipërinë dhe është një festë zyrtare. Megjithëse në treva të ndryshme festohet në mënyra të ndryshme.

Çfarë na shkon në mendje menjëherë sapo kujtojmë ditën e verës?

1-Kur themi Dita e Verës mendja na shkon tek Elbasani

Duke ditur që Elbasani është edhe zanafilla e kësaj feste, këtu festohet më shumë. Aktivitet e organizuar në Elbasan me rastin e kësaj feste mbledhin me qindra shqiptarë nga e gjithë Shqipëria.

2-Ballokumet

Ëmbëlsira tipike e festës së Ditës së Verës janë ballokumet. Disa zgjedhin t’i gatuajnë në shtëpi sipas recetës që gjyshja iu ka lënë trashëgim, ndërsa disa të tjerë preferojnë ta blejnë në Elbasan duke ditur që kjo është specialitet i kësaj zone.

3-Veroret

Ajo është një lidhëse me dy ngjyra e bardhë dhe e kuqe, të cilën vajza, gra, meshkuj dhe fëmijë e vendosin në dorë një natë para ditës së verës. Ajo simbolizon ardhjen e pranverës, dhe madje konsiderohet edhe një objekt me vlerë i mbrojtur edhe nga “UNESCO”. Veroret i heqim kur vijnë dallëndyshet dhe i vëmë në pemë që t’i marrin ato për të bërë folenë.

4-Kurorat e varura në dyert e shtëpisë

Varja e kurorave apo e degëve të bimës së thanës në dyert e shtëpisë konsiderohet si një gjest fatsjellës.

5- Ndezja e zjarreve të dëllinjave

Kjo praktikohet sidomos në zonat e juglindjes së Shqipërisë dhe ka të bëjë me besytninë e djegies së të këqijave të dimrit për të nisur një jetë të re në pranverë. Zjarret bëhen një natë para ditës së verës dhe të gjithë mblidhen duke festuar. Madje duket dhe si një garë e heshtur se kush e bëri zjarrin më të madh, apo kush ishte ai që e ndezi i pari.

6-Fëmijët e vegjël që shkojnë derë më derë për të marrë dhurata

Kjo traditë tashmë nuk bëhet, ndërsa dikur fëmijët e vegjël shkonin shtëpi më shtëpi dhe bënin si zogjtë “ciu, ciu, ciu”, për t’i lajmëruar të gjithë që ka ardhur pranvera. Ata gostiteshin me ëmbëlsira dhe dhurata të vogla.

7- Vezët me ngjyrë

Kjo është një traditë e festës së Pashkës, mirëpo në zona të ndryshme të Shqipërisë në Ditën e Verës bëhen vezët me ngjyra të ndryshme dhe fëmijët luajnë duke i “goditur” njëri me tjetrin për të parë se kush është më “i fortë”.

8-Dreka e Verës, pikniku

Në datën 14 çdo familje shtron një drekë në shtëpi, ose më e preferuar është në natyrë në formën e një pikniku. E rëndësishme është që ushqimet të jenë të përgatitura një natë më parë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne