Beteja për Internetin / 100 vjet më vonë, lufta bëhet me tastierë

“Rrjeti është shndërruar në një makinë që prodhon padrejtësi dhe ndarje, i ndikuar prej forcave të fuqishme që e shfrytëzojnë për të imponuar agjendën e tyre”.

I përdorur nga më shumë se gjysma e popullsisë së botës, Interneti zë tashmë një vend shumë të rëndësishëm në jetën tonë, e si pasojë nuk mund të lihet në dorë të forcave të tregut. Ky duhet të jetë mesazhi qendror i Forumit të Parisit

Nga Pierre Haski

Njëqind vjet më parë, luftimet bëheshin në llogore. Ndërsa sot, luftohet prapa tastierës së një kompjuteri. Pra, nuk është rastësi që më 12 nëntor në Paris, të nesërmen e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, u hap Forumi mbi qeverisjen e Internetit, një samit vjetor që ka vazhduar të organizohet që nga viti 2006 dhe bashkon gjithë lojtarët e mëdhenj globalë në industri: qeveritë, kompanitë private, shoqërinë civile.

Duke filluar nga Emmanuel Macron dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tema e këtij viti do të jetë “besimi në internet”, elementi që më shumë se çdo tjetër është humbur në botën online, tridhjetë vjet pas lindjes së internetit në mbarë botën.

Idealizmi i etërve themelues i ka lënë gradualisht rrugë të urrejtjes, manipuluesve, rrezikut të konflikteve të reja dhe për sulmeve të hacker-ëve. Sot interneti përmbledh kontradiktat e botës: është një hapësirë ​​për mësim dhe shkëmbim, por edhe një univers i bërë nga përplasje dhe rreziqe.

Dy internete të ndarë

Një nga rreziqet më të mëdha është sigurisht një kthesë autoritare e teknologjisë. Interneti është qeverisur që nga fillimi me procedura të quajtura “multi-aktorë”, sipas zhargonit teknik. Në thelb, përkufizimi i rregullave dhe kuadri i rregullave bëhet me bashkëpunimin e të gjitha palëve të përfshira, duke përfshirë individët privatë dhe shoqërinë civile. Askush nuk mund ta imponojë ligjin e tij në rrjet.

Kina, e cila është bërë një nga gjigantët e teknologjisë në botë, ka një vizion të ndryshëm dhe i jep shtetit një rol qendror në rregullim, me rrezikun e pashmangshëm të censurës. Kjo është ajo që po ndodh në Pekin, ku kontrolli mbi internetin është më i rreptë se në çdo vend tjetër në botë. Javën e kaluar, Kina organizoi një samit alternativ për të promovuar “modelin kinez”.

Në këtë ritëm mund të gjendemi me dy internete të ndryshm, njëri i hapur dhe tjetri i mbyllur, në kundërshtim me botën pa pengesa të imagjinuar në fillim.

Rreziku tjetër, më i njohur, është ai që buron nga pushteti i madh që sot është në duar të kompanive të mëdha të sektorit, Google, Apple, Facebook dhe Amazon, që kohët e fundit janë gjendur nën nëj rrebesh kritikash.

Për këtë arsye Tim Berners Lee, një prj krijuesve të internetit, sapo ka nisur një projekt të ri me emrin Inrupt, për të decentralizuar rrjetin dhe për t’u kthyer përdoruesve kontrollin e të dhënave të tyre personale.

Analiza e Berners Lee është pa apel: “Rrjeti është shndërruar në një makinë që prodhon padrejtësi dhe ndarje, i ndikuar prej forcave të fuqishme që e shfrytëzojnë për të imponuar agjendën e tyre”.

I përdorur nga më shumë se gjysma e popullsisë së botës, Interneti zë tashmë një vend shumë të rëndësishëm në jetën tonë, e si pasojë nuk mund të lihet në dorë të forcave të tregut. Ky duhet të jetë mesazhi qendror i Forumit të Parisit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne