Biden do të kthejë “angazhimin e besueshëm” me palestinezët

Mills tha se përpjekja diplomatike “do të përfshijë rivendosjen e marrëdhënieve me udhëheqjen palestineze dhe popullin palestinez”, duke shtuar se nën ish-presidentin Donald Trump ato “atrofizuan”

Ushtruesi i detyrës së të dërguarit të SHBA-ve në Kombet e Bashkuara (OKB), Richard Mills, ka deklaruar se presidenti Joe Biden ka urdhëruar administratën e tij që menjëherë “të rivendosë angazhimin e besueshëm të SHBA-ve” me Palestinën dhe Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Mills tha se përpjekja diplomatike “do të përfshijë rivendosjen e marrëdhënieve me udhëheqjen palestineze dhe popullin palestinez”, duke shtuar se nën ish-presidentin Donald Trump ato “atrofizuan”.

Kjo përpjekje, siç tha Mills, do të përfshijë rikthimin e ndihmës humanitare për Palestinën, gjë që Trump e pezulloi, si dhe rihapjen e misionit palestinez në SHBA të cilin Trump e mbylli në vitin 2018. Ai po ashtu theksoi se SHBA vazhdon të mbështesë zgjidhjen me dy shtete.

“Paqja nuk mund t’u imponohet as izraelitëve, as palestinezëve. Angazhimi diplomatik i SHBA-ve do të fillojë nga kushti paraprak që progresi i qëndrueshëm të bazohet në konsultime aktive me të dy palët dhe suksesi përfundimtar kërkon pëlqimin aktiv të të dy palëve”, tha Mills.

Më tej, Mills tha se SHBA “do t’u kërkojë qeverisë izraelite dhe Autoritetit Palestinez të shmangin hapat e njëanshme që e bëjnë më të vështirë një zgjidhje me dy shtete, të tilla si aneksimi i territorit, aktiviteti i vendbanimeve, shembjet, nxitja e dhunës dhe sigurimi i kompensimit për individët e burgosur për akte të terrorizmit”.

Komentet shënojnë konfirmimin e parë zyrtar të administratës së re amerikane mbi politikat e saj palestinezo-izraelite që kur presidenti Biden mori detyrën më 20 janar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne