“Brexit”, hebrenjtë e Britanisë po kërkojnë pasaporta gjermane

Simon Wallfisch luan zakonisht himnin e Bashkimit Europian para Parlamentit britanik, e kjo është protesta e tij kundër “Brexit”-it.

Këngëtari i Operas ka aplikuar tashmë për shtetësi gjermane, për të pasur kështu një pasaportë europiane. Por, e ka bërë këtë me një ndjesi faji, pasi ai është pasardhës i refugjatëve hebrenj, që iu larguan nazistëve në vitet 1930.

“Unë po përdor një tragjedi të madhe familjare për të garantuar një të ardhme për mua dhe familjen time. Se çfarë do të thotë kjo në praktikë, nuk e di. Ne nuk duam të jetojmë në Gjermani, por nëse do të kemi pasaportën gjermane, ne mund të qëndrojmë në Holandë apo Francë, apo një tjetër vend europian”, tha Simon Ëallfisch, këngëtar lirik.

Shumë britanikë si Simoni po shfrytëzojnë një klauzolë të Kushtetutës gjermane, që lejon pasardhësit e viktimave të nazizmit të rimarrin shtetësinë që iu është hequr paraardhësve të tyre. Në vitin 2015, vetëm 43 britanikë bënë një kërkesë të tillë. Në vitin 2017, numri u rrit në 1.600.

Nick Ross ka shfrytëzuar po ashtu prejardhjen e tij hebraike-gjermane për t’u kualifikuar për pasaportë gjermane. Ai thotë se është i kënaqur që e ka bërë një gjë të tillë, por edhe i kupton ata që nuk do të donin të bëheshin pjesë e një vendi, ku paraardhësit e tyre ishin vrarë.

“Unë i kuptoj ata që u kanë mbijetuar kampeve naziste, që nuk duan të bëhen gjermanë. Por, unë e di se ka edhe shumë nga ata që ndiejnë të njëjtën gjë me mua dhe e pranojnë se kjo është një Gjermani tjetër”, tha Nick Ross, prezantues televiziv.

Një rritje ka pasur edhe të numrit të aplikimeve të shtetasve britanikë për pasaporta franceze dhe irlandeze, që pas referendumit. Tani koha po përfundon dhe britanikët kanë kthyer sytë nga trashëgimia e tyre europiane, për të ruajtur të drejtën që të punojnë dhe udhëtojnë lirisht në BE.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne