Bota

Britani, Partia Konservatore pezullon 14 anëtarë për islamofobi

Partia Konservatore në Britani të Madhe ka pezulluar 14 anëtarë të saj nga shkaku i postimeve të komenteve raciste dhe anti-islame në mediat sociale, raporton Anadolu Agency (AA).

Veprimit në fjalë i parapriu zbulimi i një sërë komentesh islamofobike, raciste dhe abuzive, në një llogari të Twitter dhe në grupet e Facebook-ut të cilat drejtohen nga anëtarët e “Tory”, siç quhen anëtarët e Partisë Konservatore.

Komentet në Twitter janë postuar në një llogari e cila bën bashkë komentuesit racistë që janë pjesë e Partisë Konservatore.

Në mesin e komenteve mund të lexohen thirrjet “Të gjithë muslimanët të dëbohen nga zyrat publike” si dhe një tjetër ku i bëhej thirrje qeverisë “Të heq qafe të gjitha xhamitë”.

Një numër i konsiderueshëm i racistëve, sulmuan kolegun e tyre Tory, njëherësh sekretar i Brendshëm i partisë, Sajid Javid, duke thënë se nuk do ta votojnë kurrë, pasi vota për te, është një votë “që islami të udhëheq këtë vend”.

Një zëdhënës i paemëruar i partisë tha se llogaritë raciste nuk janë pjesë e partisë, ndërkohë që njoftoi se janë pezulluar 14 anëtarë për të cilët është konstatuar se kanë përdorur komente raciste dhe anti-islame.

Ka reaguar edhe Këshilli Musliman i Britanisë, i cili bëri thirrje për hetime të mëtutjeshme, pasi siç tha, “shkalla e islamofobisë në parti është në nivele shqetësuese”.

Vitin e kalauar, disa deputetë konservatorë i bënë thirrje kryeministres Theresa May që të njeh islmofobinë si një çështje brenda partisë së saj në pushtet dhe të ndërmarrë masa konkrete për të dënuar anëtarët të cilët bëjnë deklarata anti-islame.

Ndonëse May ka folur publikisht kundër islamofobisë, partia apo qeveria nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim serioz./ AA

OPINIONE

INTERVISTA