Shqiperia

“Buxheti i 2020, buxhet i varfërisë së thellë”, Tritan Shehu: Asnjë shtesë pagash për punonjësit e shëndetësisë në 2020

Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu thotë se në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm nuk është parashikuar asnjë shtesë pagash për punonjësit e shëndetësisë.

Në një postim në “Facebook”, Shehu shkruan se për PPP-të janë parashikuar mbi 40 milionë dollarë. Ai e cilëson buxhetin e vitit 2020 si buxhetin e varfërisë së thellë e i vazhdimit të eksodit masiv të profesionistëve tanë të shëndetësisë.

POSTIMI I TRITAN SHEHUT

Asnjë shtesë pagash për punonjësit e shëndetësisë në 2020-ën.

Ndërsa për PPP-të abuzive, korruptive, monopolizuese të sektorëve, apo shkatërruese të funksionit të institucioneve shëndetësore është parashikuar shifra rekord prej mbi 40 M $.

Në projekt buxhetin për vitin e ardhshëm nuk është parashikuar as shtesa e pagave për të indeksuar inflacionin.

Pra, realisht ka vetëm rënie të tyre, duke u thelluar diferenca prej disa herësh qoftë edhe me vendet e Rajonit, midis të cilëve edhe Kosova që vendosi pagën minimale për mjekët 1200 E dhe për infermierët 700 E.

Pa asnjë dyshim ky është një nga treguesit e thellimit të varfërisë ekstreme të sistemit tonë shëndetësor, mungesës së çdo stimuli e shprese pozitive për këtë sektor e punonjësit e tij, një nga shkaqet e braktisjes masive të vendit nga mjekët, infermierët etj.

Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe, një sistem në rrënim, i fundit në Europë e afër nivelit afrikano qendror në financimin e tij e nivelin e shërbimit që ofron, gjenerues vetëm i një niveli mizerje financiare për personelin, nuk mund të mos braktiset masivisht.

Pra buxheti i 2020, të cilin do ta analizoj në disa aspekte në ditët ne vazhdim, do të jetë veçse buxheti i varfërisë së thellë e i vazhdimit të eksodit masiv të profesionistëve tanë të shëndetësisë, duke arritur shifra të frikshme të mjekëve te ne./Tpz

OPINIONE

INTERVISTA