Buxheti i arsimit dhe shëndetësisë; Ekspertët: Kjo mbështetje është e pamjaftueshme

Buxheti i qeverisë për vitin e ardhshëm në arsim rritet me 0.1 përqind krahasuar me 2018-ën, ndërsa për shëndetësinë mbetet i njëjtë. Për ekspertët e ekonomisë kjo mbështetje është e pamjaftueshme. Selami Xhepa thotë se vendet e varfra kanë rënë dakord që brenda 2020-ës të shpenzojnë 5% të prodhimit kombëtar, ndërsa Shqipëria e ka 3.3 përqind.

Buxheti i vogël dhe nevoja për të ulur borxhin e lartë publik e ka vendosur Shqipërinë në një kurth, atë të pamundësisë për të mbështetur sektorët prioritarë të ekonomisë, arsimin dhe shëndetësinë

“I gjithë konsolidimi fiskal vjen duke shkurtuar shpenzimet, veçanërisht ato në shëndetësi dhe arsim”, u shpreh Selami Xhepa.

Në vitin 2019, qeveria do të shpenzojë 465 milionë euro ose 3.3 për qind të prodhimit kombëtar për arsimin, me një rritje prej 0.1 për qind krahasuar me vitin aktual. Ndërsa për shëndetësinë buxheti publik mbetet i njëjtë me këtë vit, saktësisht 2.9 për qind e prodhimit kombëtar. Por a janë të mjaftueshme këto para për të mbështetur dy sektorët më jetikë për mirëqenien e qytetarëve?

“Kjo mbështetje është e pamjaftueshme. Edhe vendet e varfra kanë rënë dakord që brenda vitit 2020 shpenzimet për arsimin të shkojnë në 5 për qind të prodhimit kombëtar”, tha Selami Xhepa.

Parashikimet afatmesme të financave publike sugjerojnë se financimet për arsimin dhe shëndetësinë do të mbeten të ulëta edhe për vitet në vijim. Por ky nuk është problemi i vetëm?

“Edhe ato para që shpenzohen shpesh nuk shkojnë aty ku duhet”, tha Selami Xhepa.

Ekspertët thonë se financimet e ulëta në arsim dhe shëndetësi frenojnë jo vetëm rritjen ekonomike por edhe zhvillimin social të vendit. Kjo e ka futur Shqipërinë në një rreth vicioz, ku ekonomia e varfër nuk lejon mbështetjen e sektorëve prioritarë dhe mungesa e investimeve në ta e mban ekonominë të varfër.

Burimi: Top Channel

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne