Agim Kasemi
E dëgjova me kujdes fjalën e Kryeministrit Rama në ceremoninë e lamtumirës për Fatos Nanon. Një fjalë që, sipas tij, duhej të tingëllonte si homazh, por që në fakt, për mua, u shndërrua në një ritual hipokrizie të stolisur me metafora.
Në thelb, ajo frazë e “vdis pa të dua” nuk ishte thjesht një shprehje popullore. Ishte një pranim i pavetëdijshëm i barbarisë morale të këtij sistemi, ku çakejtë hanë njeri-tjetrin për së gjalli, e pasi ai ikën nga kjo botë, qajnë si qengja të butë, duke e larë ndër lotët e rremë të kujtesës publike.
Edi Rama foli për Fatos Nanon si për një baba politik, për “ndarje buke”, për “vrasje simbolike të babait”, për “trashëgimi”, për “brandin e shpejtësisë europiane”. Por unë pashë një tjetër skenë: një aktor të talentuar që flet në një skenë funerale, duke recituar për lavdinë e vet nëpërmjet vdekjes së tjetrit.
Në këtë “homazh pa precedent”, nuk kishte shpirt nderimi, kishte strategji imazhi. Kishte aromë pushteti, jo frymë mirënjohjeje.
Nano, me gjithë mëkatet e veta, ishte një njeri me kontradiktë, por ishte njeri. Ai i përkiste një kohe kur politika kishte ende zë njerëzor, me gjithë brengat e saj.
Sot, në Shqipërinë e Ramës, zëri është zë propagande, e çdo kujtim i së shkuarës përdoret si dekor për të justifikuar pushtetin e sotëm.
Rama tha: “Sa të paskan dashur mor burr i dheut! Po edhe ata që s’të lanë shkop ndër rrota pa të vënë…”
Unë e pyes:
Ku ishe ti, Edi Rama, kur ky burrë i dheut u përbalt, u përjashtua, u godit e u harrua?
A nuk ishe ti ai që e “vrave simbolikisht”, siç e pranon vetë, për t’i marrë fronin politik?
A nuk ishe ti që, sapo more pushtetin, e ktheve Nanon në një kujtim të largët, për ta përmendur vetëm sot, kur nuk mund të përgjigjet më?
Kjo nuk është dashuri pas vdekjes, kjo është autopsi morale e një miqësie të konsumuar nga interesi.
Është cinizmi i një sistemi që nderon vetëm kufomat, sepse të gjallët i frikësojnë.
Shqipëria e sotme nuk ka mungesë fjalësh të bukura. Ka mungesë ndershmërie.
Në vend që të thoshte “vdis pa të dua”, Rama mund të kishte thënë:
“Fatos, faleminderit që më dhe stolin tënd, por më fal që e ktheva në fron.”
Kjo do të ishte fjala më e ndershme.
Në fund, kur dëgjova Kryeministrin t’i thoshte Fatosit “mos vdeksh kurrë”, mendova:
Në këtë vend, nuk vdesin asnjëherë fjalët e bukura, vdes vetëm e vërteta.
Dhe kur ajo vdes, çakejtë qajnë me radhë, njësoj si në këtë ceremoni, majtas e djathtas, të gjithë të rreshtuar, me sy të përlotur dhe duar të njollosura./fb


















