Çavusoglu: Partitë evropiane të qendrës përdorin gjuhë raciste

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) tha se partitë e qendrës në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po përdorin të njëjtën gjuhë raciste.

Çavushollu mori pjesë në Forumin e 12-të Strategjik të Bledit në Slloveni. Këtu ai iu drejtua pjesëmarrësve në panelin me temë “Një vizion i ri për një realitet të ri”.

Në përgjigje të pyetjes që iu drejtua në fillim të panelit për debatet që zhvillohen në Gjermani lidhur me procesin e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE) Çavushollu tha se në duelin televiziv që u zhvillua në Gjermani ndërmjet Kancelares Angela Merkel dhe kryetarit të Partisë Social-Demokrate, Martin Schulz më shumë se sa problemet e brendshme të vendit u përmendën emrat e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

Duke iu referuar populizmit në rritje në disa vende të BE-së, Çavushollu tha se arsyeja e kësaj është forcimi i partive radikale dhe rrjedhimisht humbja e pushtetit të partive të qendrës.

Partitë e qendrës po përpiqen të rifitojnë votat e humbura duke përdorur të njëjtën retorikë me partitë raciste, u shpreh Çavushollu dhe shtoi: “Si rrjedhim kemi një ndryshim. Për fat të keq, partitë e qendrës në vendet e BE-së po përdorin të njëjtën gjuhë dhe retorikë raciste. Zgjedhjet do të mbahen në Gjermani, nuk do të zhvillohen as në Turqi, e as në Hungari. Do të ishte më mirë nëse fokusohen në çështjet e tyre të brendshme”.

Duke nënvizuar se anëtarësimi në BE për Turqinë vazhdon të jetë ende një qëllim strategjik, Çavushollu tha: “Turqia nuk ka ndonjë problem lidhur me hapjen dhe mbylljen e ndonjë kapitulli, diskutimin dhe negocimin e çështjeve teknike, problemi qëndron tek barrierat politike me të cilat përballemi”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne