Çavusoglu: Ruajtja e statusit të Jerusalemit, një prej prioriteteve të Turqisë

“Ruajtja e statusit historik dhe ligjor të Jerusalemit është një prej prioriteteve të politikës sonë të jashtme. Kjo është një kauzë e shenjtë për ne. Ne po bëjmë çdo përpjekje të mundshme për të tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare mbi padrejtësitë në Jerusalem”, deklaroi shefi i diplomacisë turke.

Çavusoglu tha se Izraeli, vend që po vazhdon të mbajë në fuqi bllokadën çnjerëzore në Gazë, është duke ndërmarrë një fushatë të pamatur dhe të shkujdesur, e cila ushqehet nga dhuna, për të nxjerrë jashtë loje zgjidhjen me dy shtete.

“I ashtuquajturi «Ligji i Shtetkombit Hebre», miratuar vitin e kaluar në Parlamentin e Izraelit, rezultoi një shembull i ri që pasqyron këtë mendësi. Ne s’do të lejojmë kurrë që nisma të këtilla të errësojnë objektivin tonë për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme me rrugën e dialogut dhe diplomacisë. Teksa Izraeli intensifikon edhe më tepër aktivitetet e tij të paligjshme, ne do të bëjmë edhe më shumë përpjekje për paqe dhe drejtësi në arenën ndërkombëtare”, theksoi ai.

Kryediplomati turk vuri në pah gjithashtu se Ankaraja nuk është dakord as me sanksionet kundër Iranit.

“Ne mendojmë se ngucja në një qoshe e Iranit në këtë mënyrë është shumë e rrezikshme, kërcënuese edhe për rajonin”, u shpreh ministri Çavusoglu mes të tjerash./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne