Autoritetit i Konkurrencës njoftoi të premten se ka vendosur nën monitorim tregtimin e prodhimit dhe tregtimit të bukës, pas hyrjes në fuqi të vendimit nr. 72 datë 15.04.2024 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE). Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se, nisur nga informacione mediatike në lidhje me njoftimin e furrave të bukës për rritjen e çmimit të bukës, më datë 1 nëntor ka filluar monitorimin e menjëhershëm në terren për evidentimin e çdo sjelljeje abuzuese në shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.
Në muajin prill, Enti i Entit Rregullator të Energjisë miratoi çmimet e reja të shitjes së energjisë elektrike për klientët furra buke dhe prodhim mielli që do të aplikohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU). Për secilën kategori, është miratuar edhe çmimi i energjisë aktive në orar piku, që për periudhën 1 nëntor – 31 mars është 18:00-22:00, ndërsa për periudhën 1 prill – 31 tetor është 19:00-23:00.Sipas vendimit të Bordit të ERE, për kategorinë e parë ku përfshihen furrë buke dhe prodhim mielli, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 7.6 lekë/kWh, ndërsa çmim në orar pik është 8.74 lekë për kWh.
Për kategorinë e dytë ku përfshihen subjektet furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 lekë/kWh, ndërsa çmimi në orar pik është 10.93 lekë/kWh. Për kategorinë e tretë ku përfshihen subjektet furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim kafe (ekspres), çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 12 lekë/kWh, ndërsa çmimi në orar pik është 13.80 lekë/kWh./Monitor