Rajoni

Cipras akuzon Kosovën për ‘hedhje benzinë zjarrit’

Në kuadër të kontakteve në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, Cipras u prit në takim nga Presidenti Aleksandër Vuçiç.

Në një konferencë të përbashkët pas takimit në Presidencën e Serbisë kryeministri grek reagoi ndaj vendimit të Kosovës për të rritur me 100% tarifat doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina dhe për të krijuar ushtrinë e vet.

“Kosova po i hedh benzinë zjarrit”, deklaroi Cipras, duke thënë se veprimet e fundit të Kosovës nuk i sjellin stabilitet rajonit.

“Hapat që ka ndërmarrë Kosova në drejtim të rritjes së tarifës doganore dhe krijimit të ushtrisë nuk do të sjellin stabilitet në rajon, përkundrazi do ta destabilizojnë atë”, u shpreh Cipras.

Kurse Presidenti i Serbisë Vuçiç nga ana e tij i cilësoi si shumë të mira marrëdhëniet me Greqinë dhe tha se “Populli serb e shikon Greqinë si një aleat dhe mik në politikë dhe ekonomi”./ trt