Cmendet Facebooku lejon përhapjen e gjuhës së urrejtjes kundër muslimanëve

Më shumë se 1.000 postime anti- Rohingya të ndërthurura me thirrje për vrasjen e popullsisë janë zbuluar në Facebook. Një hetim nga agjencia e lajmeve Reuters zbuloi se rrjeti social po përdoret ende për të inkurajuar dhunën kundër grupeve të myslimanëve në Mianmar pavarësisht se kompania ka pranuar se do ta trajtojë çështjen.

Sipas hetimit, disa nga materialet kanë qenë të botuara prej gjashtë vitesh. Rregullat e Facebook ndalojnë sulmet “e dhunshme ose çnjerëzore” ndaj grupeve etnike.

Megjithatë, kompania me bazë në SHBA, në shumicën e rasteve mbështetet te përdoruesit për të bërë raportime mbi postime të tilla, duke qenë se një pjesë e software-it të saj nuk është mjaftueshëm e trajnuar për të interpretuar tekstet në gjuhën birmaneze.

Sipas BBC, Facebook tashmë ka hequr të gjithë materialet e raportuara. Hetimi u krye në bashkëpunim me Qendrën e të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë së Berkeley-t në Universitetin e Kalifornisë.

Ka të ngjarë që kjo të shtojë presionin mbi kompaninë teknologjike për të investuar më shumë burime për trajtimin e problemit. Përpjekjet e Facebook janë kritikuar më parë nga Kombet e Bashkuara si edhe nga politikanët në SHBA dhe Britani të Madhe.

Rreth 700,000 muslimanë të Rohingya janë larguar nga Mianmar që nga viti 2017, shumë prej të cilëve tani jetojnë në kampet e refugjatëve në Bangladesh.

Ata kanë raportuar se ushtarët birmanezë kishin vrarë dhe përdhunuar pjesëtarë të komunitetit të tyre dhe kishin djegur shtëpitë e tyre.

Ushtria e Mianmar thotë se po lufton me militantët e Rohingya dhe mohon të kenë synuar civilët në krahinën Rakhine. Reuters tha se shumica e komenteve anti-Rohingya, imazheve dhe videove që janë zbuluar ishin në gjuhën birmaneze.

Agjencia tha se ato përfshinin:

– thirrje për qytetarët e Rohingya që të vriten.

– sugjerime për genocid, një person shkroi: “Ne duhet t’i luftojmë ata siç bëri Hitleri me hebrenjtë”.

– imazhe pornografike anti-muslimane.

– përshkrime për grupet si qen, krimba dhe përdhunues.

Në një deklaratë, Facebook pranoi se fillimisht nuk kishin qenë të shpejtë për të dalluar problemin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes “në vende si Mianmar kur shumë njerëz po e përdornin internetin për herë të parë”.

“Ne po punojmë shumë për t’u siguruar që po bëjmë gjithçka mundemi për të parandaluar përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe disinformimit”, thuhej në deklaratë./tvklan.al 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne