Comandano i terroni! Probleme me median edhe në Itali

Problemet me median nuk mungojnë as në Italinë fqinje, ku përherë duket se ke të drejtë të thuash çdo gjë. Zv.kryeministri italian, Luigi Di Maio paralajmëronte sot në rrjetin social tuiter, se do të heqë financimin publik për mediat në krye të tre vjetëve. Si argument mbështetës për këtë masë është sjellë një titull i gazetës së djathtë Libero” e cila sot hapej me titullin: Comandano i terroni.

Terroni quhen jugorët në Itali, një term fyes që përkthehet pak a shumë si fshatar baltaxhi i pagdhendur. Në një mënyrë fyese gazeta numëron zyratrët e lartë me origjinë nga Jugu i Italisë që sipas saj qëndrojnë në krye të shtetit italian dhe kështu shpjegohet edhe pse ministri i Brendshëm, Matteo Salvini i ka të gjithë kundër.

Di Maio ka kërkuar reagim edhe Urdhërit të Gazetarëve, që në fakt e ka bërë një gjë të tillë. Përmes një njoftimi të shkurtër në faqen e vet online, Urdhëri bën me dije se është propozuar procedimi disiplinor për gazetën, konfirmuar edhe nga gjykata e Milanos. Nga ana tjetër, Urdhëri ka kundërshtuar edhe instrumentalizimin që zv.kryeministri i Italisë i bën ngjarjes sidomos me kërcënimin për shkurtim të subvencionimeve.

Situata në fjalë sjell në vëmendje një fakt të kohëve tona: një pjesë e luftës që politikanët bëjnë është me mediat. Paradoksi është se ndërsa komunikimi me lexuesin, apo elektoratin, qytetarin është horizontalizuar me rrjetet sociale që mundësojnë edhe ndërveprim direkt, ankesat dhe frika e politikës ndaj medias tradicionale sa vjen dhe rritet. Kjo ka arsyet e veta, por një ndër më kryesoret është se në çdo vend politika është bërë ditore dhe e pareferueshme me ndonjë vlerë, sistem apo ideologji. Në zgjedhjet e fundit në SHBA p.sh u pranua fakti se arsyeja pse Fox News, ishte media me më shumë ndikim, kishte të bënte me faktin se ajo synonte opinionin, jo reagimin dhe debatin spontan të rrjeteve sociale.

Vend për gazetari ka dhe frika se mediumet e reja ndryshuan vetë profesionin po bie. Nga ana tjetër, rasti i Italisë nuk mund të mos na kujtojë se ndërkohë që Di Maio kërcënon me shkurtim fondesh, qeveria në Shqipëri ua shton fondet televizioneve që e mbështesin qorrazi dhe kërkon të mbyllë mediat elektronike që përgjithësisht i ka kundër.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne