Ç”po ndodh me ndërtimin e Xhamisë së madhe në Prishtinë?

Po bëhen pesë vite që prej vënies së gurëthemelit për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë. Mirëpo, që atë kohë nuk është parë as investimi më i vogël në këtë projekt.

Gurëthemeli është puna e vetme që është kryer deri më tani. Ndërtimi po zvarritet, e përgjegjësinë nuk shihet se po e merr askush.

Stina e pranverës ishte shpresa që do ta bënte me xhami Prishtinën. Të paktën kështu deklaruan në Bashkësinë Islame të Kosovës para tre muajsh.

Mirëpo as në pranverë, Prishtina nuk u bë me xhaminë e premtuar prej vitesh. Indeks online ka tre muaj që ka raportuar se ndërtimi i xhamisë pritet të filloj në pranverë ashtu siç deklaruan në BIK.

Një gjë e tillë nuk ndodhi. E as që dihet kur do të ndodh.

Indeks online ka kontaktuar me zyrtarë për informim në BIK, për të kuptuar se pse nuk ka filluar ndërtimi i xhamisë siç u premtua.

Ahmet Sadriu, zëdhënës për informim ka thënë se plani ka qenë për pranverë, mirëpo nuk ka diçka të re në këtë drejtim.

I pyetur se a ka ndonjë datë kur pritet të filloj ndërtimi, Sadriu është përgjigjur se një gjë e tillë do të bëhet zyrtare me kohë.

“Nuk kem të re kurgjo. Jo, jo s’ka fillu ende ndërtimi. Si të fillon e merrni vesh krejt këtë punë. Se ajo bahet pak ma zyrtare. Na i kanë përzi krejt tash. Prej Komunës së Prishtinës hala s’na kanë dhanë përgjigje”, ka deklaruar zëdhënësi për informim në BIK.

Indeks online ka provuar të kontaktoj me zyrtarë për informim në Komunën e Prishtinës, por kontakti nuk ka qenë i mundur.

Sidoqoftë pyetjet janë përcjellur edhe në zyrën për informim në Komunë.

Ky projekt duhet të fillonte qysh në tetor të vitit të kaluar. Ndërtimi i kësaj xhamie pritet të kushtoj 20 milionë euro. Ndërsa prona për ndërtimin e xhamisë është ndarë nga Komuna e Prishtinës.

Kohë më parë Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, kishte thënë se ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë nuk është bllokuar nga komuna.

Mirëpo për këtë çështje, Ahmeti thotë se duhet zbatohen procedurat e nevojshme, në mënyrë që procesi të realizohet me transparencë dhe me debat publik.

Ky projekt sipas të parit të kryeqytetit nuk është afatshkurtër, prandaj zgjidhja sipas tij, duhet të jetë e qëndrueshme dhe me planifikim të mirëfilltë.

“Përveç nevojës së komunitetit të besimtarëve që është e plotësisht e qartë, duhet të trajtohet i gjithë blloku, lagja, komunikacioni dhe shumë çështje të tjera. Prandaj me trajtime nga ekspertët, zyrtarët, banorët dhe përfaqësuesit e komunitetit do ti zgjidhim të gjitha çështjet”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne