Del raporti i BE për Shqipërinë dhe Ballkanin: Korrupsion dhe kapje e shtetit!

Pak orë para publikimit të progres raportit për Shqipërinë, “Vizion Plus”, siguron një pjesë të tij.

Në dokumentin i cili bën një vlerësim të situatës ekonomike dhe hapave që duhet të ndërmarrin qeveritë e Ballkanit Perëndimor theksohet qeverisja e dobët dhe në veçanti, progresi i kufizuar në adresimin e mangësive në shtetin e së drejtës dhe në trajtimin e korrupsionit.

Sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave themelore, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administrata publike përbëjnë një nga motorët kryesorë për rimëkëmbjen ekonomike si të Shqipërisë dhe gjithë vendeve të tjera të rajonit që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Si pikë kryesore në dokument nënvizohet qeverisja e mirë si një element i rëndësishëm në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, me theksin te zbatimi i ligjit si një etapë kryesore kundër së cilës vlerësohet progresi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, thuhet në dokument, përparimi i besueshëm në fushën e sundimit të ligjit mbetet një sfidë e rëndësishme, e cila shpesh ndërlidhet me mungesën e vullnetit politik, ekzistencën e vazhdueshme të elementeve të qarta të kapjes së shtetit dhe progresin e kufizuar në pavarësinë e gjyqësorit.

Në pjesën që lidhet me paketën e zgjerimit në aspektin ekonomik rekomandohet një gjyqësor i fuqishëm dhe i pavarur, i paanshëm dhe efektiv që dukshëm siguron që të gjitha institucionet shtetërore të respektojnë ligjin, të ruajnë integritetin dhe që qytetarët të mbrohen nga vendimet arbitrare dhe të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre plotësisht.

Bizneset kanë nevojë për siguri ligjore dhe mungesë korrupsioni, sikundër edhe investitorët e huaj kanë nevojë për siguri në një fushë të barabartë që do të mbrojë investimet e tyre, thuhet më tej në progres raportin e Komisionit Evropian./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne