Demokratizimi, mjeti i vetëm i mbijetesës së Shqiptarëve

Me kalimin e viteve, në Ballkan ka nisur të ketë ndikim edhe Rusia, pra një forcë tjetër e madhe veç BE-së dhe SHBA-së. Rusia ka qenë gjithnjë një vend që më së shumti ka zgjedhur qasjen realiste në marrëdhënie ndërkombëtare. Për këtë qasje interesi i paraprin vlerave, mjetet e justifikojnë qëllimin dhe kësisoj fuqizimi i ndikimit dhe rritja e pushtetit të këtij vendi në rajon apo botë kthehen në qëllim.

Shkruan: Fitim ZEKTHI, Tiranë

Duke qenë se rajoni i Ballkanit është parë vazhdimisht si një i tërë nga Bashkimi Europian dhe SHBA-ja, të paktën që prej vitit 1990, sa i takon perspektivës së tij, që është integrimi në BE, çdo lëkundje në BE ose çdo ndryshim i rëndësishëm i peshës dhe qasjes së saj dhe SHBA-së në marrëdhëniet ndërkombëtare do të sillte probleme të dukshme në secilin prej këtyre vendeve. Ish komisionari për zgjerim i BE-së, Olli Rehn, ka thënë në vitin 2004 se “ne iu kemi dhënë perspektivën e anëtarësimit në BE vendeve të Ballkanit në mënyrë që aty të ruhet stabiliteti dhe këto vende gradualisht të forcojnë demokracinë dhe të shndërrohen në bartëse të sigurisë nën ndikimin dhe presionin e BE-së”. Në marrëdhëniet ndërkombëtare mbizotërojnë tre teori kryesore: realizmi, liberalizmi dhe konstruktivizmi. Nëse kthehemi te gjesti, për të na ndihmuar në analizë do të shqyrtojmë shkurt tri shkollat kryesore të studimit në disiplinën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare: Realizmi, Liberalizmi dhe Konstruktivizmi.

Të tria teoritë/qasjet e konsiderojnë arenën ndërkombëtare një sistem anarkik dhe për këtë ka një dakordësi të gjithanshme. Realistët besojnë se, në një sistem anarkik, qëllimi i vetëm i shtetit është të sigurojë mbijetesën (të maksimizojë fuqinë, dhe mbrojtjen). Gjërat duhet të shihen siç janë dhe jo siç duam ne që ato të jenë. Kjo do të thotë se secili mjet është i justifikuar. Ndër të parët mendimtarë të kësaj qasjeje është Tukididi dhe, më pas, kemi Hobbes, Morgenthau etj. Mbrojtësit e liberalizmit besojnë se shteti nuk është i vetmi aktor në marrëdhëniet ndërkombëtare, madje aktori më i rëndësishëm janë organizatat ndërkombëtare të cilat mundësojnë bashkëpunimin midis shteteve. Locke dhe Kant janë ndër themeluesit e kësaj mënyre të menduari. Çdo shtet ka interes të bashkëpunojë, sepse fiton më shumë nga ky bashkëpunim. Shtetet duhet të sillen në politikë të jashtme sipas parimeve që duan të ndjekin në politikë të brendshme, pra të mbrojnë vlera të tilla, si: drejtësia, lufta ndaj varfërisë, demokracia etj. Konstruktivistët, me një qasje jokonvencionale, besojnë se anarkinë e bëjnë vetë shtetet. Autorë si Wendt, Katzenstein, Onuf etj., thonë se realiteti ndërkombëtar është konstruksion social, prandaj ata fokusohen më shumë te studimi i identitetit, ligjërimit, medias, elitave, sesa tek fuqia ushtarake ose ekonomike. Këtu kuptojmë se qasja e deritanishme e Ballkanit ndaj BE-së, por edhe e BE-së, ka qenë liberaliste. BE-ja ka menduar se Ballkani mund të përfitojë nga kjo strukturë e marrëdhënieve ndërkombëtare si vetë ajo, ashtu edhe vetë BE-ja do të ishte më e qetë me një rajon problematik, që do të afrohej me vlerat e saj. Sigurisht që në çdo akt të marrëdhënieve ndërkombëtare ka elementë të realizmit dhe sigurisht që gjithkush mund të shohë te këto akte elementë kulturorë, të cilët janë konstruksione të shoqërive ose shteteve, por është e qartë se liberalizmi është ideja bazë që i ka ndërtuar marrëdhëniet Ballkan-BE-SHBA.

Për aq kohë sa Ballkani ishte plotësisht nën ndikimin e BE-së dhe SHBA-së, vendet e tij njohën stabilitet dhe patën arritje në disa fusha. Arritjet ishin të ndryshme nga një vend në tjetrin, pasi potenciali i një vendi për të ecur përpara nuk varet nga marrëdhëniet e ndërkombëtare, por nga faktorë të brendshëm, që janë kulturorë, socialë, gjeografikë ose etnikë etj. Këtu duhet thënë se marrëdhëniet me ndërkombëtarët, pra ato me BE-në dhe SHBA-të, janë vetëm një variabël, pavarësisht se ai është shumë i rëndësishëm.

Me kalimin e viteve në Ballkan ka nisur të ketë ndikim edhe Rusia, pra një forcë tjetër e madhe, veç BE-së dhe SHBA-së. Rusia ka qenë gjithnjë një vend që më së shumti ka zgjedhur qasjen realiste në marrëdhënie ndërkombëtare. Për këtë qasje interesi u paraprin vlerave, mjetet e justifikojnë qëllimin dhe kësisoj fuqizimi i ndikimit dhe rritja e pushtetit të këtij vendi në rajon ose botë kthehen në qëllim. Rusia gjithnjë e ka parë Ballkanin si një zonë të rëndësishme për shkak të nevojës për ta kontrolluar Bosforin dhe të “pansllavizmit”, të cilin e ka përdorur në funksion të këtij ndikimi. Rusia e ka rritur praninë e saj me investime dhe propagandë. Në Serbi rreth 67,2% e qytetarëve preferojnë aleancë me Rusinë përpara asaj me BE-në. Jarosław Wiśniewski i “London School of Economics” thotë se shifra të tilla ushqehen nga një propagandë e ethshme e Rusisë jo vetëm në Serbi, por edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni. Pra, rritja e rolit të Rusisë dhe ndjekja e një qasjeje realiste, e cila është më agresive se sa ajo liberaliste, që ndjek BE-ja dhe SHBA-ja, bën që jo vetëm të ketë kemi një variabël shtesë që prek sigurinë dhe demokracinë në vendet e Ballkanit, por të kemi edhe dobësim të ndikimit të BE-së dhe SHBA-së. Nga ana tjetër, ngritja e një vale populiste në Europë, fuqizimi i zërave nacionalistë dhe ksenofobë, ka bërë që BE-ja të bëhet edhe më me pak ndikim, ndonëse përpjekjet e saj nuk janë mpakur. Vetë BE-ja po nis të ndërrojë qasje, duke u bërë më realiste, duke braktisur në një farë mënyre qasjen liberaliste, pasi prania e zërave si Le Pen në Francë, Wilders në Holandë, Petry në Gjermani etj., i ka vënë në vështirësi edhe liderët liberalistë të deritanishëm. Dalja e Britanisë nga BE-ja i ka fryrë edhe më shumë kësaj dallge. Edhe Presidenti amerikan Donald Trump mendohet nga shumë studiues si realist, që nuk do të vijojë me qasjen liberaliste, si një individ i cili do të ndryshojë sjelljen e SHBA-së në politikën ndërkombëtare. Sigurisht që ai nuk do ta braktisë Ballkanin ose perspektivën e tij të integrimit në BE, por do të niset nga interesi, mund të jetë më i sertë dhe nuk do të niset nga mbrojtja e vlerave. Që të jemi të qartë, edhe liberalizmi synon ta mbrojë interesin, por beson se këtë e bën duke pasur të parat vlerat. Presidenti Trump do t’i përgjigjet Rusisë me qasjen e saj, realizmin. Pra, gjithë ky kontekst populizmash, ky kontekst dështimi i liberalizmit perëndimor përballë realizmit të Rusisë, i ka forcuar politikanët e këqij, antidemokratikë dhe autoritarë të Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Serbisë etj. Ky kontekst është oksigjen për ta. Më i famshmi ndër ta është Nikolla Gruevski në Maqedoni, i cili për më shumë se një dekadë e uzurpoi jetën politike dhe institucionet në Maqedoni, e kriminalizoi politikën, e inkriminoi partinë më të madhe shqiptare, BDI, duke e kthyer atë në një vegël të tij. Me kalimin e viteve ai u bë më arrogant me BE-në dhe SHBA-në dhe nisi të jetë më i afërt me Rusinë. Sot gjendja ka mbërritur në një pikë vlimi, ku Gruevski nuk e lejon të funksionojë sistemin, duke e shfuqizuar në këtë mënyrë krejt demokracinë. BE-ja dhe SHBA-ja, prej vitesh, duke e kthyer ruajtjen e stabilitetit si shtyllën bazë të tyre, toleruan shumë veprime të VMRO-së dhe Gruevskit.

Qasja liberaliste e deri para pak kohëve besonte se Maqedonia gradualisht do të përmirësohet vetvetiu, duke u bërë – pa ndalur – demokratike. Kosova është po ashtu në një gjendje të mjeruar, por për arsye të tjera. Klasa politike jashtëzakonisht e korruptuar, ndonëse pro perëndimore, i ka bishtnuar vazhdimisht presionit për ndërtimin e institucioneve demokratike. Një ndihmë në këtë drejtim e ka dhënë Serbia, e cila vazhdimisht e pengon Kosovën që ta vendosë rendin dhe sundimin e ligjit, si edhe lëvizja Vetëvendosje, e cila duke qenë opozita e vetme nuk është konsideruar në fakt asnjëherë si e tillë nga BE-ja, e cila është peng i qasjes së saj liberaliste. Pra, BE-ja nuk ka dashur që Vetëvendosja! të jetë alternativë e pushtetit, duke u fokusuar më së pari te nevoja për stabilitet. Në Shqipëri, po ashtu, kriza është ndihmuar nga BE-ja, e cila nëpërmjet qasjes liberaliste ka dashur vazhdimisht stabilitet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me vendet e tjera. Në kushtet e tashme, kur një erë realiste po fryn kudo, kur BE-ja është më e dobët dhe kur qasja liberaliste e saj, që kërkon stabilitet, nuk prodhon domosdo stabilitet dhe demokraci, shqiptarët kanë nevojë të jenë më të fortë, kanë nevojë të gjejnë mënyra të mbrojnë me çdo kusht interesin e tyre. Në një Ballkan më të ashpër, më pak demokratik, shqiptarët e Tiranës ose të Korçës, të Gostivarit ose të Podujevës, të Lezhës ose të Tetovës, nuk do të duhet të jenë më të ndarë, por më të bashkuar, madje ideja e një bashkimi të mundshëm nuk duhet parë si blasfemi. Nuk është çështja e një ndryshimi kufijsh, që e kërkojnë shqiptarët, por është çështja e një zgjidhjeje të vetme realiste në kushtet e dështimit të liberalizmit. Sa kohë kjo ide do të jetë ide, shpëtimi i vetëm i shqiptarëve do të jetë fuqizimi i shteteve të tyre, duke u bërë ato thelbësisht demokratike dhe të zhvilluara. Politikanët, që u zhytën në korrupsion dhe i shkatërruan demokracitë, tani kanë një detyrim edhe më të madh për t’u shporrur. Prania e tyre në politikë dhe mbajtja në këmbë e korrupsionit dhe e institucioneve të kriminalizuara, në kontekstin e ri, janë tradhti kombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne