Një ligjvënës irakian ka paraqitur një padi kundër “presidentit” të vetëshpallur të Sirisë, Abu Mohammed al-Julani, duke përmendur lidhjet e tij të mëparshme me grupe terroriste në vendet arabe.
Në një deklaratë përmes videos të publikuar të martën, Alaa al-Haidari bëri të ditur se ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor të Irakut, duke kërkuar që Julani të përballet me ndjekje ligjore për rolin e tij në nxitjen e ekstremizmit rajonal.
“E kam paraqitur kallëzimin penal kundër terroristit Julani, i njohur edhe si Ahmad al-Sharaa,” tha ai, duke theksuar se ky i fundit ka qenë pjesë e organizatave të ISIS-it (Daesh) që vepruan edhe në territorin irakian.
Më tej, Haidari vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e hyrjes së Julanit në Irak: “Si është e mundur që një njeri që ka udhëhequr një grup terrorist të lejohet të hyjë në vendin tonë?”
Kallëzimi penal erdhi vetëm dy ditë pasi Abu Mohammed al-Julani mori një ftesë zyrtare nga Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, për të marrë pjesë në Samitin e Ligës Arabe që pritet të mbahet muajin e ardhshëm në kryeqytetin Bagdad.
Julani, i cili dikur ishte i lidhur me al-Kaedën dhe Daesh-in, ka udhëhequr militantët e Hay’at Tahrir al-Sham (HTS) në përpjekjet për rrëzimin e qeverisë së presidentit Bashar al-Assad vitin e kaluar.
Më 8 dhjetor, grupi HTS mori kontrollin e Damaskut pas një ofensive të shpejtë që nisi nga veriperëndimi i provincës Alepo dy javë më parë, duke i dhënë fund sundimit 24-vjeçar të Assadit.
Që nga ajo kohë, administrata e HTS-së është përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Siri, veçanërisht kundër pakicave, me theks të veçantë ndaj komunitetit Alawit, duke shkaktuar reagime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar.
Vizita e mundshme e Julanit në Bagdad do të jetë e para e tij publike në Irak – vendi ku ai ka qenë i burgosur për vite me radhë, i akuzuar për përfshirje në rrjetin terrorist al-Kaeda, pas pushtimit amerikan të vitit 2003.
Ndërkohë, lideri i grupit të rezistencës anti-terroriste irakiane Asa’ib Ahl al-Haq ka paralajmëruar se Julani mund të arrestohet sapo të mbërrijë në Bagdad, për shkak të një urdhër-arresti ende aktiv ndaj tij./gazetaimpakt/presstv

















