Shqiperia

Dërgimi i mjekëve në Itali, Spiropali iu përgjigjet kritikëve: Pyka të tilla koha i ka flakur! Do i ndihmojmë miqtë në këto ditë të zeza

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, shkruan në “Facebook” se mbërritja e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali për të luftuar koronavirusin ka zënë sot faqet kryesore të medieve fqinje dhe ka shkaktuar entuziazëm në të gjitha nivelet e shoqërisë italiane.

Sipas ministres Spiropali, “Italianët na janë gjendur si askush tjetër në kohët më të vështira, kur shqiptarët kërkonin strehë larg pushtimit, poshtërimit apo varfërisë, por edhe sot kur duam t’i bashkohemi institucionalisht Evropës së bashkuar”.

Për këtë arsye, shton më tej ministrja, “ne nuk i harrojmë, do t’ju gjendemi miqve tanë sot në këtë ditë të zezë, dhe kurdoherë që fati do të na sfidojë”.

Ndërsa, duke iu përgjigjur atyre shqiptarëve që kritikuan këtë vendim të kryeministrit Rama, Spiropali shkruan se “Ka patur gjithmonë Shqipëria pyka të tilla që historia i ka qeshur dhe koha i ka flakur”.

Mesazhi i Spiropalit:

🇦🇱🙏🏻🇮🇹| Mbërritja e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali për të luftuar kundër Covid-19, ka zënë sot faqet kryesore të mediave përtej Adriatikut dhe ka shkaktuar një reagim entuziast në të gjitha nivelet e shoqërisë italiane.

Conte dhe Di Maio kanë përcjellë fjalën e Kryeministrit Rama, dhjetra politikanë, kryetarë bashkish e autoritete të tjera, i jane bashkuar falenderimit, mjekë, gazetarë, mijëra italianë të zakonshëm që i ka zënë hall i madh në luftën me armikun e pabesë, kanë shprehur mirënjohjen e tyre me fjalë nga më të zgjedhurat.

Ky akt i autoriteve shqiptare dhe ky gjest human i mjekëve tanë, na përbashkon, shqiptarë dhe italianë, në një ndjenjë mallëngjyese solidariteti mes dy vendeve dhe dy popujve që ndajnë shumë histori nga më të dhimbshmet. Italianët na janë gjendur si askush tjetër në kohët më të vështira, kur shqiptarët kërkonin strehë larg pushtimit, poshtërimit apo varfërisë, por edhe sot kur duam t’i bashkohemi institucionalisht Evropës së bashkuar.

Ne nuk harrojmë, do t’ju gjendemi miqve tanë sot në këtë ditë të zezë, dhe kurdoherë që fati do të na sfidojë.

Në kontrast me këtë shpërthim reagimesh humane andej, capak faqezinj këtej, po sulmojnë ideatorin, kryeministrin, qeverinë, dhe këtë vendim që i ka dhënë krenari shqiptarëve kudo ku ndodhen. S’ka problem. Ka patur gjithmonë Shqipëria pyka të tilla që historia i ka qeshur dhe koha i ka flakur.

Krenare për Shqipërinë !

/BW

OPINIONE

INTERVISTA