Shqiperia Video

Dëshmitë e ish muxhahedinëve: Si u bëhet “lavazh truri” të rinjve shqiptarë nga MEK

“MEK është një sekt mafioz, duhet të bëni kujdes me fëmijët tuaj”

Në emisionin “Stop” në Tv Klan u trajtua këtë të martë çështja e kampit të muxhahedinëve në Shqipëri. Ky kamp është ndërtuar disa vite më parë dhe qëndrojnë mijëra anëtarë të MEK. Shqipëria ishte vendi që i dha një hapësirë në Manzë prej 26 hektarësh kësaj organizate dhe aty kanë ndërtuar “qytetin” e tyre. Mirëpo në atë kamp tashmë nuk hyn asnjeri.

Grupet e xhirimit që shkojnë përballen me dhunë dhe sharje, pavarësisht se jashtë ambienteve të kampit është tokë publike. Aty ka një sistem kontrolli të jashtëzakonshëm. Secili nga këta anëtarë kur erdhën në kamp kishin mijëra dollarë cash me vete secili.

Kampi i MEK

Ish-anëtarë të organizatës MEK kanë treguar për kamerën e “Stop” se dita-ditës ata po mundojnë të manipulojnë dhe trajnojnë fëmijë shqiptarë për t’i pasur pjesë të strukturave të tyre.

Farid Shakarami ka mbi 1 vit e gjysmë që ka dalë nga kampi për shkak të kushteve të tmerrshme. Por opozita, e cila më parë kundërshtonte një regjim të egër, tashmë nuk e lejon që të takojë familjarët e tij.

Farid Shakarami: Mirëmbrëma të gjithë shikuesve të TV Klan! Më quajnë Farid Shakarami! Jam rritur në një familje, që ishte kundër regjimit aktual iranian. Në 2009-ën, me familjen time u futëm në organizatën MEK në Irak, në kampin Ashraf. Isha 16 vjeç dhe në një sektor të veçantë të kampit bashkë me të rinj të tjerë, ku funksiononte sistemi i “shpëlarjes së trurit”. Për 8 vjet kam qenë brenda organizatës, në Irak, deri kur mbërritëm në Shqipëri në 2016-ën. U ndava nga MEK, por nëna ime, motra dhe vëllai im janë brenda kampit. Qysh nga ndarja ime, kam kërkuar të shoh familjen time, por ata nuk më lejojnë t’i shoh dhe çdo ditë jam i shqetësuar, pasi janë vetëm. Nuk më lejojnë as të flas në telefon me ta. Këtu nuk jemi në Irak, jemi në Europë, në një vend të lirë e demokratik. Ju kërkoj të më ndihmoni, të takoj nënën time. Është e vërtetë, që i përkas një vendi tjetër, por jam qenie njerëzore e të gjithë kanë nevojë të shohin familjen pa kufizime. Ka më shumë se një vit e gjysmë, që nuk dëgjoj as zërat e tyre. Kjo është shpresa ime e fundit e ju kërkoj ndihmë.

Farid Shakarami

Ndërkohë Rahman Mohamadiyan tregon për organizatën MEK problemet për ta dhe të rinjtë shqiptarë. Ai thotë, se përmes anëtarëve të MEK, po tërhiqen në rrugë të rrezikshme edhe të rinj shqiptarë.

Sipas tij, MEK është një sekt mafioz dhe zgjodhi Shqipërinë pasi duke qenë se vendi nuk është pjesë e BE-së, anëtarët nuk mund të arratisen dhe mund t’i përdorin për qëllimet e tyre.

Ai tregoi se fëmijët shqiptarë dërgohen në mësimet e Kuranit dhe me paratë që u japin i afrojnë dhe i shfrytëzojnë. Mohamadiyan rrëfeu se secilit prej anëtarëve u është dhënë mijëra dollarë cash kur kanë ardhur. Por këto para janë të pista dhe të marra nga Sadam Hussein tha ai.

Rahman Mohamadiyan: Mirëmbrëma të gjithë shikuesve të TV Klan! Më quajnë Rahman Mohamadiyan. Për 28 vjet kam qenë brenda organizatës MEK dhe prej tre vjetësh ia kam mbathur. Një prej motiveve, që hyra me Muxhahedinët ishte, se propaganda e tyre e idealeve dhe lirive e demokracisë, më bindën. Unë doja, që vendi im të kishte një të ardhme më liberale. Por menjëherë pasi hyra, kuptova, që gjithçka që më ishte thënë, ishte e kundërt. Në 2015-ën mbërrita në Shqipëri me organizatën MEK dhe pas 11 ditësh ia mbatha. Zgjedhja e Shqipërisë nga ana e MEK ishte strategjike, pasi MEK duke qenë organizatë mafioze,donte një vend, që nuk ishte pjesë e Unionit Europian, që anëtarët të mos ia mbathnin e ata t’i përdornin për qëllimet e tyre. Dua t’i shpjegoj popullit shqiptar, sesi sillet Mek me ata që kanë dalë. Organizata bën gjithçka, që të mos na lejojë të bëhemi refugjatë 100%, duke korruptuar Ramsa-n, zyrën për refugjatët, e duke na vënë shkopinj nën rrota. Dua të paralajmëroj popullin shqiptar, që MEK është një sekt mafioz, ndaj duhet të bëni kujdes me fëmijët tuaj! Ne e dimë, që fëmijët tuaj përdoren e marrin pjesë në manifestimet e tyre të brendshme. Ata dërgohen në mësimet e Kuranit dhe me paratë, që u japin si ndihmë, në fakt afrojnë fëmijët tuaj. Sa më shumë kalon koha, aq më e pamundur, do të jetë t’i tërhiqni jashtë. Ata duan të rrisin fuqinë e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar të rinjtë shqiptarë. Kjo është vetëm mafie. Me sytë tanë kemi parë para disa kohësh në sheshin “Skënderbej”, familje shqiptare me flamurin e MEK në duar, dhe anëtarë të tjerë i filmonin, në mënyrë, që t’i përdornin filmimet si propagandë, për të bindur shqiptarët, për të marrë pjesë. Mos lejoni, që kjo organizatë të rritet akoma. Kanë shumë para të pista të marra nga Sadam Hussein, që kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri. Mendoni që çdonjërit nga 3500 anëtarët, që kanë ardhur në Shqipëri u janë dhënë 30 mijë dollarë cash. Personave më të besuar u janë dhënë 200 mijë dollarë. Dua të them edhe se sektori i Ramsa-s, dedikuar për refugjatët iranianë, është mbyllur dhe ne jemi braktisur plotësisht. Kemi nevojë për ndihmë, të paktën të shohim familjet tona këtu në Shqipëri. Duam të na jepet një leje pune, sepse nuk kemi më ndihmë ekonomike nga Ramsa.

Rahman Mohamadiyan

Për këtë, në një video të Sky News baronesha Nikolson tregonte disa vite më parë për aferat dhe paratë e Sadamit, të lidhura me organizatat terroriste ndërkombëtare. Në një nga videot e filmuara nga shërbimet sekrete të Irakut duken zyrtarët irakianë duke i dhënë para zyrtarëve të MEK. Aty dallohen disa persona, të cilët nxjerrin shuma të mëdha parash nga kutitë.

“Sadami u besonte gjithmonë e më pak njerëzve. Ai i përdorte trupat e MEK për të transportuar dhe për të fshehur gjëra, qartësisht armë kimike dhe biologjike të transportuara me kujdes. Kam shumë të dhëna nga ish-anëtarë të MEK që i kam takuar në rajon në Irak, Iran dhe vende të tjera, ku kanë magazinuar armë biologjike”, deklaronte baronesha Nikolson.

Drejtuesi i emisionit Saimir Kodra tha se në Tiranë ka disa apartamente ku shkojnë anëtarët e MEK në vendin tonë dhe marrin para, të cilat janë të vulosura me vula arabe. Ai shtroi pyetjen nëse janë të deklaruara apo jo.

“Përtej të gjithash kjo është pjesë e shtetit shqiptar që ka bërë një marrëveshje. Natyrisht ka edhe ajo pozicionin e saj, por qasja që kanë me të rinjtë e zonës për t’i thithur dhe për t’i dhënë ideologjinë e tyre nuk është aspak pluraliste dhe demokrate siç pretendojnë sepse vetë qasja e kampit ka një diktaturë të ashpër. Personat që kanë dalë jashtë dhe kërkojnë punë, e që shteti shqiptar nuk ia njeh akoma të drejtën e punës, nuk i pranon më. Është një tmerr i madh. Do e krahasoja me një Mauthausen që atje nuk digjen, por kush hyn atje nuk del dot më”, tha Kodra. /tvklan.al

OPINIONE