Shqiperia

Detaje/ Si u qëllua me breshëri miku i Shullazit, 10 të shoqëruar

Të paktën 10 persona janë shoqëruar nga policia e Durrësit pas vrasjes së mikut të Emiljano Shullazit, Edison Harizaj 39 vjeç si dhe plagosjes së mikut të tij Geci Caci, 33 vjeç.

Automjeti tip ‘Audi’ në të cilën udhëtonin Edison Harizaj dhe Genci Caci, shënjestër të atentatit në qytetin e Durrësit, është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Ngjarja u regjistrua mbrëmë në zonën e plazhit, në rrugën e njohur si ‘Rruga e Çamëve’, në qytetin bregdetar.

Edison Harizaj bashkë më shokun e tij, Genci Caci ishin duke udhëtuar në drejtimin Tiranë-Kavajë. Nisur nga të dhënat, në vendin e ngjarjes në rrugën e Shkozetit, në një kthesë viktimës dhe të plagosurit i është prerë rruga nga dy makina, njëra prej të cilave i ka bllokuar rrugën, ndërsa nga tjetra është hapur zjarr duke qëlluar më breshëri kallashnikovi.

Gazetarja Dorjana Bezat, raporton për ‘BalkanWeb’ se makina drejtohej nga 33-vjecari Caci, ndërsa viktima, Edison Harizaj udhëtonte si pasagjer në sedijen e parë.

Pas ngjarjes autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa një makinë pa targa tip ‘Benz’ e cila dyshohet se i përket autorëve është gjetur e djegur në Shën Vlash. Policia po këqyr kamerat e sigurisë së disa hoteleve për të parë lëvizjet e autorëve.

Viktima Edison Harizaj nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai dyshohet se ka kryer një sërë krimesh, përfshi dhe ekzekutimin e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

Njoftimi i policisë për atentatin:

Më datë 06.11.2018 , rreth orës 22:50 ,në lagjen nr. 13, Durrës brenda një mjeti tip “Audi” është gjetur pa shenja jete shtetasi E.H. 39 vjeç, banues në Vlorë dhe i plagosur shtetasi G.C. 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Burimi: BalkanWeb